Gjykata Themelore e Prishtinës dha denimin me një muaj paraburgim për pesë serbet e arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.
Ne vendim thuhet se nëse ata liheshin të lirë mund të iknin dhe ti shmangeshin procedurave penale, pasi jane edhe shtetas të Republikës së Serbisë.
Gjykata Themelore e Prishtinës dha një muaj paraburgim për pesë serbët e Kosovës Dragan Cvetkoviq, Dragan Billiq, Millosh Shoshiq dhe Sllobodan Jevtiq te arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.
Ata ishin arrestuar mëngjesin e së shtunës gjatë një aksioni të autoriteteve të sigurisë së Kosovës në qytetin juglindor te Gjilanit.
Gjykata e argumentoi denimin e pese serbeve me faktin se nëse ata lihen të lirë mund të ikin dhe ti shmangen nga procedurave penale, si shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë”.
“Po ashtu, ata mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Prokuroria i akuzon që të pestit për krime lufte si, vrasjen, plagosjen dhe maltretimin e civilëve shqiptarë në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo sjellje e autoriteteve kosovare ka ngjallur reagime të ashpra nga Serbia.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare në Kosovë “t’i japin fund arrestimeve arbitrare, pasi rezultati i vetëm i këtyre akteve është shkatërrimi i karakterit multietnik” të Kosovës.
Ministria serbe pretendon se ky është “një shembull tjetër i sulmeve ndaj serbëve me qëllim të frikësimit dhe dëbimit”.
Sipas pales serbe te arrestuarit Dragan Cvetkoviq, Dragan Billiq, Millosh Shoshiq dhe Sllobodan Jevtiq janë njerëz “të cilët kanë jetuar paqësisht për vite, pa probleme në shtepite e tyre ne Kosove.
Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.
Qe përfundimi i luftës rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë luftës në vitet ne Kosove 1998-99 u vranë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.