Blinken-it i kërkohet të garantohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Senatorët amerikanë Joni K. Ernst dhe Gary C. Peters, i janë drejtuar me një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken për ndaljen e diskriminimit dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në letrën e firmosur nga dy senatorët, theksohet se zyrtarët lokalë shqiptarë në Luginën e Preshevës kanë faktuar diskriminimin e shqiptarëve nga Serbia. Shefit të Diplomacisë Amerikane i kërkohet ndërhyrja tek autoritetet serbe për të bërë të mundur që ata të respektojnë planin 7 pikësh që siguron të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Ky plan është miratuar nga ana e qeverisë së Serbisë më 4 qershor 2013.”
Sipas senatorëve, ky plan është rruga e vetme diplomatike, për zgjidhjen e drejtë të kërkesave legjitime të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës dhe është çelësi për stabilitet e paqe të qëndrueshme në rajon.
Edhe Senatori Bob Menendez kërkoi nga administrata amerikane që të angazhohet për çështjen e shqiptarëve të Luginës,ashtu edhe për pakicat shqiptare të cilat diskriminohen vazhdimisht.
Çështja e Luginës së Preshevës u ngrit edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në New York nga ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha. Gjatë fjalimit, Hoxha nënvizoi se shqiptarët në Luginë të Preshevës duhet të kenë të drejtat të cilat i gëzojnë serbët në Kosovë. Sipas tij pakica serbe në Kosovë gëzon të drejtat më të avancuara se çdo pakicë në Evropë.
Klan News