Dy zyrtarë policorë u plagosën të dielën në mëngjes në Turqi, pas një shpërthimi që ndodhi pranë parlamentit të Ankarasë.
Kështu deklaroi ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, me anë një postimi në rrjetet sociale, transmeton Klankosova.tv.
Dy sulmues mbërritën me një automjet komercial rreth orës 09:30 dhe kryen sulmin, tha Ali Yerlikaya.
Yerlikaya tha se një sulmues hodhi veten në erë përpara një ndërtese të një ministrie dhe një tjetër u “neutralizua”.
Shpërthimi ndodhi vetëm disa orë përpara se parlamenti të mblidhej sërish.
Nuk dihet se kush ishin sulmuesit. Askush nuk e ka marrë përsipër sulmin.
Raportet e para të mediave për një shpërthim flasin gjithashtu për të shtëna armësh të dëgjuara në zonë. Shërbimet e urgjencës kanë shkuar në vendngjarje, ndërsa policia ka bllokuar disa rrugë përreth.
“Lufta jonë do të vazhdojë derisa terroristi i fundit të neutralizohet”, shkroi Yerlikaya në rrjetet sociale.