Dyshohet se Andrea Cozzolino dhe belgu Marc Tarabella janë bërë pjesë e një skandali korrupsioni
Dy eurodeputetëve u është hequr imuniteti ligjor nga ligjvënësit evropianë, pas një kërkese të autoriteteve belge që po hetojnë skandalet e korrupsionit që ka tronditur Parlamentin Evropian.
Italiani Andrea Cozzolino dhe belgu Marc Tarabella mohuan akuzat. Shtëpia e Tarabellës u bastis muajin e kaluar kur policia belge arrestoi katër persona. Prokurorët më pas kërkuan nga Parlamenti që t’i hiqte imunitetin së bashku me Cozzolino.
Me ngritjen e duarve, asambleja mbështeti propozimet për heqjen e imunitetit të italianit Andrea Cozzolino dhe belgut Marc Tarabella. Tarabella mori pjesë vetë në votim ndërsa më pas iu drejtua një dhome ku deklaroi se do të bisedonte me gjyqtarin dhe hetuesit belgë.
“E përsëris se jam i lumtur që më hoqën imunitetin. Sapo e votova. Së dyti, kujtoj se jam i pafajshëm në këtë rast. Në radhë të parë autoriteteve të drejtësisë do t’iu jap informacione.”
Çështja Katargate doli në dritë kur një Eva Kaili, një eurodeputete greke dhe tre të dyshuar të tjerë u arrestuan nën dyshimin për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërkaq Pier Antonio Panzeri pranoi t’i “tregonte të gjitha” si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Ai dyshohet se ka udhëhequr një rrjet që merrte ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin Evropian. Si Katari ashtu edhe Maroku kanë hedhur poshtë akuzat se ata kërkuan të fitonin ndikim mbi eurodeputetët.
Klan News