DW: Shtetasit e RMV-së mund të largohen nga Gjermania me pasaportën e vjetër, por jo edhe të kthehen

Pasaporta e Maqedonisë me emrin e vjetër mund të jetë ende në përdorim në disa vende evropiane, por jo edhe në Gjermani. Burime diplomatike për DW shpjegojnë se me pasaportën pa emrin kushtetues nuk mund të futeni në Gjermani, nëse udhëtari vjen nga Maqedonia e Veriut apo ndonjë vend të tretë.

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të hënën në deklaratë për mediat theksoi se “pasaporta e vjetër përdoret në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Kosovë”. Sipas tij, është turp që nuk vlen edhe në vend për shkak të rregullimit aktual ligjor, ndërsa zgjidhjen e sheh në ndryshimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i cili këto ditë po i viziton konsullatat në Gjermani, Zvicër dhe Itali, nga Berni e përshëndeti vendimin e Zvicrës për lejimin që qytetarët e Maqedonisë të udhëtonin me dokumentet e vjetra të udhëtimit. Mirëpo, Osmani nuk specifikoi nëse mendon për udhëtime me pasaportat e vjetra nga Zvicra drejt Maqedonisë, apo edhe anasjelltas, duke qenë se rekomandimi i deritanishëm për shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit që nuk kanë pasaportë të re ka qenë që të nxjerrin dokumentet e udhëtimit.

Sa i përket Gjermanisë, situata atje është e qartë. Burime diplomatike thonë për DW se autoritetet gjermane po bëjnë gjithçka për të lehtësuar gjendjen e qytetarëve të Maqedonisë të cilët nuk kanë arritur të marrin pasaportën me emrin kushtetues dhe se ndihma ka për qëllim para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kjo do të thotë se qytetarët e Maqedonisë mund të përdorin pasaportat e tyre me emrin e vjetër kushtetues për identifikim personal në atë vend, por nuk do të mund të hyjnë në vend nëse nuk kanë dokument të ri udhëtimi me emrin Maqedonia e Veriut.

Kjo do të thotë se mund të largohen nga Gjermania për në Maqedoninë e Veriut me pasaportën e vjetër, por jo anasjelltas.

Shoqata e Maqedonisë “Këshilli Qendror i shtetasve të Maqedonisë në Gjermani” me seli në Berlin, gjatë fundjavës ka paralajmëruar padi kundër Maqedonisë, nëse deri më 23 shkurt autoritetet nuk e ndryshojnë vendimin për vlefshmërinë e pasaportave me emrin e vjetër kushtetues dhe nëse nuk sigurohet dhënie më e shpejtë e pasaportave të reja.

Nga Shoqata thonë se me shpalljen e pasaportave me afat si të pavlefshme, pa ofruar kapacitete të mjaftueshme për dhënien e pasaportave të reja, kanë krijuar probleme të mëdha me të cilat shkelen të drejtat e njeriut të qytetarëve të Maqedonisë.

Pas hyrjes në fuqi të dispozitave të Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë, nga 13 shkurti është ngushtuar rrethi i vendeve ku qytetarët e Maqedonisë mund të udhëtojnë dokumentet e vjetra të cilave nuk u ka skaduar afati, por janë të shtypura me emrin e vjetër të shtetit.

Me përjashtim të vendeve fqinjë si Kosova, Serbia dhe Shqipëria kur lejohet hyrja me letërnjoftim, në Bullgari dhe Greqi, si dhe në shumicën e vendeve evropiane, hyrje lejohet vetëm me dokumente me emrin e ri të shtetit. /DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share