Dronë për shpërndarjen e mallrave në SHBA

Dronët përdoren gjerësisht në operacione luftarake, nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në bujqësi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, tashmë gjithnjë e më shumë biznese amerikane po i përdorin dronët për të dërguar ushqime dhe mallra tek dera e shtëpisë së klientëve.

Diçka e pazakontë po ndodh në Virxhinian lindore. Ushqimet i sillen familjes Baugh me dron. Dhe kjo ndodh të paktën një herë në javë.

Zoti Baugh i porosit mallrat në internet, nga një prej kompanive më të mëdha të supermarketeve në Amerikë, “Walmart”.

Kompania thotë se ka shpërndarë rreth 6 mijë pako nëpërmjet dronëve vitin e kaluar.

Dronët plotësojnë disa kushte. Pikë së pari janë efikasë dhe të shpejtë. Dhe gjithashtu nuk dëmtojnë mjedisin”, thotë Phillip Wallace, drejtor për marrëdhëniet me qeverinë në kompaninë “Walmart”.

Për shpërndarjen e pjesës më të madhe të mallrave të porositur, kompania përdor shërbimin DroneUp.

Pasi klienti bën një porosi në internet, DroneUp merr mallin në dyqan, e vendos në një kuti dhe ia dërgon klientit, zakonisht brenda 30 minutave.

Shërbimet e shpërndarjes me dron janë veçanërisht të përshtatshme për njerëzit që banojnë në zona rurale, të moshuarit, apo ata që kanë probleme me lëvizjen. Dronët po përdoren rregullisht në vende të tjera për të dërguar ilaçe në zonat e largëta. Por, në Shtetet e Bashkuara përdorimi i tyre nga bizneset është ende eksperimental.

Dhe si me çdo teknologji të re, përdorimi i dronëve përballet me disa sfida, si motin e keq dhe frika për privatësinë.

“Programi ynë mund të identifikojë zona mbi të cilat nuk do të donim të fluturonte droni”, thotë Anthony Vittone, drejtor i operacioneve në kompaninë “DroneUp”.

Droni lëviz në lartësinë rreth 25 metra nga toka, lartësi kjo që ndihmon me privatësinë dhe ul nivelin e zhurmës. Por, kompania DroneUp thotë se sfida kryesore janë rregullat e rrepta të vendosura nga Administrata Federale e Aviacionit, që mbikqyr sektorin e dronëve.

“Mendoj se administrata ka bërë shumë për avancimin e teknologjisë së dronëve, por nuk mbajnë ritmin e përparimeve tona”, thotë zoti Vittone.

Administrata Federale e Aviacionit i tha Zërit të Amerikës se nga shtatori, dronët do të duhet të transmetojnë informacionin për verifikimin e identitetit nga distanca. Ky është një hap madhor drejt Menaxhimit të Trafikut të Mjeteve pa Pilot.

“Integrimi i dronëve është një çështje e rëndësishme në Administratën Federale të Aviacionit. Bëhet fjalë për problemet e integrimit të dronëve në sistemet ekzistuese të kontrollit të trafikut ajror. Se si të sigurohemi që këto konflikte të zgjidhen në mënyrë të drejtë”, thotë Miriam McNabb, redaktore në faqen e lajmeve për dronët në internet, “DroneLife”.

Ky është një lajm i mirë për konsumatorët.

“Mendoj se aviacioni pa pilot do të jetë shumë i dobishëm për të gjithë në të ardhmen. Ndërsa shtohen kompanitë e shitjeve në internet, do të mundet t’i merrni produktet në shtëpi më shpejt dhe me më shumë siguri”, thotë zoti Baugh.

Ky sektor po merr zhvillim në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share