45.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë u sekuestruan mbrëmjen e së mërkurës në një kontejner në portin e Durrësit. Droga e fshehur në kontejnerin me mish pule që vinte nga Brazili kishte destinacion përfundimtar Maqedoninë e Veriut.
Policia njoftoi këtë të enjte se ka arrestuar administratorin e kompanisë Arben Ferizi banues në Prishtinë dhe agjentin doganor Egert Vargu, i kontraktuar nga kjo kompani në Durrës.
“Kompania ime ka vite që merret me prodhimin e salsiçeve dhe është e suksesshme dhe nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner. Të gjitha veprimet kryhen online, porosia dhe blerja e mishit. Nuk është kompetencë e jona se çfarë gjendet në kontejner, përtej asaj çka ne kemi porositur”, mësohet të jetë shprehur administratori i kompanisë.
Ndërsa doganieri Vargu ka dëshmuar: “Nuk kam dijeni, apo lidhje ke drogën. Puna ime është të bëjë procedura zhdoganimi dhe nuk merret me kontrollin e kontejnerëve. Nuk është ne kompetencën time”.
Autoritetet thonë se vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari./tvklan.al