Droga depërton në shkollat e Tetovës – Kush po i fsheh rastet?!

Këshilli Lokal për Parandalimin e Delikuencës në Tetovë, ka ngritur alarmin, duke theksuar se shkollat janë të mbushura me nxënës që jo vetëm konsumojnë, por edhe tregtojnë lëndë narkotike.

Blerta Ademi nga ky këshill thotë se, bazuar në një anketë të realizuar, kjo problematikë bashkë me lojërat e fatit vazhdon të rritet në Tetovë.

Për të luftuar këtë dukuri rekomandojnë të rritet bashkëpunimi me SPB-Tetovë kurse policia të patrullojë afër objekteve shkollore.

Por, një shqetësim tjetër që paraqitet është edhe fshehja e rasteve nga shkollat.

Nga praktika jonë, nuk mund të themi se shkollat i fshehin këto raste. Ne kemi realizuar një anketë anonime me drejtorët dhe personelin profesional të shkollave për të identifikuar problemet dhe veprimet devijante të nxënësve. Nga përgjigjet e pyetësorit ka dalë në pah se disa nxënës përdorin lëndë narkotike, madje edhe i shesin. Duhet theksuar që ky problem nuk është i pranishëm në të gjitha shkollat, por në disa raste është raportuar. Për statistika konkrete duhet t’u referoheni organeve kompetente, pasi vetëm policia i posedon këto të dhëna. Ne nuk kemi statistika të sakta, por me siguri policia i ka,” tha Blerta Ademi nga Këshilli Lokal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve.

Kur u përpoqëm të identifikojmë shkollat më problematike, Ademi nuk dha informacione konkrete, duke theksuar se anketa ishte realizuar në mënyrë anonime dhe të dhënat i posedon policia.

“Ashtu siç e përmenda, rezultatet tona vijnë nga një anketë anonime. Në këtë pyetësor janë përfshirë të gjashtë shkollat e qytetit të Tetovës, prandaj nuk mund të etiketojmë ndonjë shkollë specifike. Kjo është në dorë të organeve kompetente,” theksoi Ademi.

Sipas burimeve të Klan Maqedoni, që do të verifikohen nga policia e Tetovës, mungesa e raportimit të kësaj problematike nga drejtuesit e institucioneve arsimore mbetet sfidë për Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë.

Në mungesë të raportimeve, policia nuk ka mënyrë tjetër për të ndërhyrë në kohë për identifikimin dhe ndalimin e nxënësve që konsumojnë lëndë narkotike nëpër shkolla.

Drejtorët e shkollave, në një akt të papërgjegjshëm, përpiqen të fshehin këto raste për të mos dëmtuar imazhin e institucionit, por Këshilli Lokal për Parandalimin e Delikuencës konfirmon se kjo problematikë është një alarm i madh në qytet. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share