Drejtori i FBI-së, Chris Wray ka shprehur shqetësimin për sigurinë kombëtare në lidhje me platformën TikTok, duke paralajmëruar se kontrolli i aplikacionit është në duart e një qeverie kineze “që nuk ndan vlerat tona”.
Wray tha se FBI-ja ishte e shqetësuar se kinezët kishin aftësinë për të kontrolluar algoritmin e aplikacionit, “i cili u lejon atyre të manipulojnë përmbajtjen, dhe nëse duan, ta përdorin atë për të ndikuar te njerëzit”.
Ai gjithashtu pohoi se Kina mund të përdorë aplikacionin për të mbledhur të dhëna për përdoruesit e saj që mund të përdoren për spiunazh.
“Të gjitha këto janë në duart e një qeverie që nuk ndan të njejtat vlera me tonat dhe që ka një mision që është në kundërshtim në interesin e Shteteve të Bashkuara. Kjo duhet të na shqetësojë”, tha Ëray.
TikTok është në pronësi të kompanisë ByteDance me bazë në Pekin. E shqetësuar për ndikimin e Kinës mbi TikTok-un, administrata Trump në vitin 2020 kërcënoi se do ta ndalonte aplikacionin brenda SHBA-së dhe i bëri presion kompanisë ByteDance për t’ia shitur platformën TikTok një kompanie amerikane.
Zyrtarët amerikanë dhe kompania janë tani në bisedime për një marrëveshje të mundshme që do të zgjidhte shqetësimet e sigurisë amerikane, një proces që Ëray tha se po ndodhte nëpër agjencitë qeveritare të SHBA-së.