Para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, Kurti është në presion nga politika e brendshme për mos t’u nxituar për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, teksa Beogradi po e shkel vazhdimisht marrëveshjen e Ohrit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaron se statuti i Asociacionit, fillimisht si draft duhet të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, para se të jepet ndonjë aprovim prej Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, ai shpreh shqetësim se në bazë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pika shtatë ku flet për vetëmeneaxhim të komunitetit serb, nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese.
“Tash çdo gjë që bëhet në Bruksel, është derivat i marrëveshjes së Ohrit. Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese…Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, ne kemi ngritur shqetësimin tonë se marrëveshja e Ohrit, si e tillë nuk duhet të kalojë se po ndërton një rend paralel kushtetues në Kosovë. Tash nëse kemi ardh në këtë fazë, detyrimi për të është që kjo të përfundojë në Kushtetuese si draft, si dokument. Në momentin që ka një pëlqim apriori prej dy palëve pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese, unë mendoj se pasojat për Kosovën do të jenë shumë të mëdha”, thekson deputeti Selmanaj.
Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.
Ajo thekson se pajtueshmëria për Asociacionin vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2015, garancia e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe qëndrimi i përfaqësuesve amerikan, Chollet dhe Escobar se çka është dhe çka nuk është Asociacioni, janë bazë e mirë për hartim të një statuti për Asociacionin.
“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian…Në këto parime që assesi nuk ka kompetencë ekzekutive dhe ndërhyrje në sistemin kushtetues, por në bazë të rendin kushtetues të Kosovës ndërtohet një draft, i cili diskutohet. Tash ne veç kemi filluar t’i dëgjojmë deklaratat e Vuçiç në raport me këto parime dhe këtë qasje, e cila është e mbështetur nga të gjithë, përveç palës serbe”, thotë ajo.
Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 2 maj në Bruksel. Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq kanë rënë dakord edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.