KURTI: DOKUMENTI PËR ASOCIACIONIN NË KUNDËRSHTIM ME KUSHTETUTËN
Pa kaluar 12 orë nga prezantimi i draftstautit për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e këtij drafstatuti.
Sipas Krasniqit pas prezantimit të draftstatutit në takimin e së martës në Bruksel, ky Ekip tash edhe vetë është pa status.
Në Bruksel pala kosovare të martën mbrëma nuk është pajtuar me draftstatutin e prezantuar për Asociacionin. Kryeministri Kurti ka thënë se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.
Pas takimit të Brukselit, kryeministri Albin Kurti ka prezantuar vizionin e tij për draft-statutin për Asociacionin, të cilin e ka prezantuar edhe gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
”Unë fundementalisht nuk pajtohem me këtë drafstatut sepse është rezultat i dëshirës për Republika Sërpska në Kosovë” – tha Albin Kurti.
”E kam ditur, por sot për herë të parë arritëm deri te një mur. Ishte e qartë në momentin kur u prezantua draft-statuti nga Ekipi Menaxhues, që e bëri në mënyrë profesionale. Reagimi i tyre [palës kosovare] pas kësaj ishte se është e papranueshme, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk lejojmë Republika Sërpska” – deklaroi Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, takimin e ka cilësuar si të rëndësishëm duke thënë se ky është pikëfillimi pasi që u prezantua një draftstatut I cili nuk është final.
”Nuk prisja diçka tjetër, e dija që palët kanë mendim të ndryshëm për natyrën e Asociacionit. Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, janë pajtuar të fillojnë negociatat për Asociacionin në të ardhmen e afërt. Duke marrë këtë draftin e parë si hapin e parë të diskutimit” – tha Borrell.
Në takimin e së martës në Bruksel pati qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha