Një i vetëquajtur profet, i cili kishte më shumë se 20 gra dhe disa prej tyre nën moshën 18 vjeç, është arrestuar nga FBI.
“BBC” shkruan se Samuel Rappylee Bateman deklaroi se ishte vullneti i Zotit që ai të kryente akte seksuale me gratë e tij. 46-vjeçari u arrestua në Shtator për shkatërrim të dhënash dhe pengim të drejtësisë në një hetim për transportimin e fëmijëve përgjatë kufijve shtetërorë për trafikim seksual.
Detajet bëhen të ditura përmes një dëshmie nga FBI.
Bateman është një ish-anëtar i një dege të Kishës Fundamentaliste së Shenjtërve të Sotëm të Jezu Krishtit (FLDS), një sekt i kishës Mormon derisa nisi të ngrinte grupin e tij të ndarë.
Bateman mbështetej financiarisht nga adhurues meshkuj që fëmijët dhe gratë e tyre ia kishin dhuruar këtij profeti. Ai i ndëshkonte adhuruesit që nuk e trajtonin si të tillë.
Në Gusht, u arrestua për drejtimin e një kamioni brenda të cilit ndodheshin tre vajza të moshave 11-14 vjeç. Ai pagoi një garanci, por më vonë u arrestua me akuzat e shkatërrimit të të dhënave dhe pengimit të drejtësisë.
Më herët gjatë këtij viti, 9 vajza u shpëtuan nga duart e Bateman nga shërbimet sociale në Arizona dhe u vendosën nëpër shtëpi. Në Nëntor, 8 prej tyre ia mbathën nga këto qendra kujdesi.
Autoritetet e Uashingtonit ranë në gjurmët e tyre kur një oficer raportoi për një mjet të drejtuar nga një nga gratë e Bateman, shkruhet në raportin e Byrosë Federale të Hetimit. Shoferja dhe dy nga gratë e tjera të tij u akuzuan për rrëmbim gjatë një çështjeje të hapur.
Drejtuesja e mjetit deklaroi se ajo ishte bërë një nga gratë e Bateman para se të mbushte 18 vjeç. Ajo lindi një fëmijë 7 muaj pasi arriti në moshën madhore.
Në intervistat me FBI, asnjë prej 9 vajzave të vendosura në qendrat e kujdesit nuk përmendën abuzim seksual prej Bateman, por në ditarët e tyre ato shkruanin për ndërveprim seksual me të.
Kisha FLDS është identifikuar nga Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë si një grup që promovon urrejtjen./tvklan.al