Emisari për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak, i cili në emër të BE’së ndërmjetëson negociatat Kosovë – Serbi, është bindur se s’do të ketë avancim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Sllovaku këtë e ka thënë haptas gjatë një debati në GLOBSEC 2024 në Pragë , ku është diskutuar për zgjerimin e BE’së. Diplomati evropian ka thënë se duhet siguruar që të bëhet përparim thelbësor pas zgjedhjeve.
“Ia kemi dalë ta bëjmë gjënë më të mirë që është marrëveshja për rrugën e normalizimit e cila është miratuar vitin e kaluar në Ohër por që asnjëherë s’është implementuar, por edhe më keq as që ka filluar të implementohet. Presidenti Macron dy ditë më parë tha në Beograd se rruga është shtruar dhe rruga quhet Marrëveshja e Ohrit, por ajo që mungon është vullneti politik dhe po ashtu dy shoqëritë s’janë gati” theksi Lajçak.
Tutje, ai ka përmendur zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit që do të mbahen në Kosovë.
” I kemi zgjedhjet parlamentare në Kosovë në shkurt kështu që është naive të besohet se mund të presim avancim para zgjedhjeve. Por duhet të sigurohemi se do të shohim progres substancial në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve” ka thënë ai.
Duke folur për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Lajçak ka thënë se Mali i Zi mund të t’i bashkohet bllokut më 2028. “Askush s’mundet më herët, sepse vetëm Mali i Zi dhe Serbia janë në fazë të avancuar të negociatave të anëtarësimit, por Mali i Zi i ka të gjitha në duart e veta, derisa Serbia e ka zgjidhjen e problemit me Kosovën para kësaj” ka thënë ai.
Sllovaku do të mbajë detyrën e ndërmjetësit deri më 31 janar 2025, për ta marrë më pozitën e ambasadorit të BE’së në Zvicër. Me dialogun pritet të merret Kryediplomatja e re e BE’së estonezja Kaja Kallas e cila nuk dihet nëse do ta emërojë një emisar të ri për dialogun.