Kjo është 19-vjeçarja Eralda Spahillari, e cila mesnatën e së shtunës mbeti e vdekur si pasojë e një aksidenti tragjik në Itali. E re dhe me ëndrrën për t’u kthyer në Shqipëri që të jetonte me të fejuarin. Kështu shkruajnë mediat italiane për të. Shqiptarja studionte për estetikë. Këtë profesion mendonte ta bënte në Shqipëri, ku donte të kthehej dhe të hapte biznesin e saj.
19-vjeçarja jetonte në Negrisia, një zonë në Ponte di Piave, bashkë me prindërit dhe dy vëllezërit Florianin dhe Erindin.
“Ishte një vajzë e fortë dhe shumë bujare”, kujton Amelia, shoqe klase me shqiptaren e cila mëngjesin e së dielës vendosi një buqetë me lule në vendin e aksidentit në Gorgo al Manticano.
“Dua ta bëj këtë homazh për ta kujtuar atë. Shpresoj që të shkoj në spital t’i them mirupafshim të fejuarit të saj. Me atë ajo ëndërronte që të krijonte një të ardhme”, tregon Amelia.
Eralda ka lindur në Greqi, por familja e saj është me origjinë nga Durrësi i Shqipërisë. Ajo donte të kthehej për të jetuar aty, së bashku me Mikele Tatanin, të fejuarin e saj, po ashtu shqiptar. Ka qenë pikërisht i riu që ka qenë në drejtimin e mjetit tip BMW 420 që u përplas. Së fundmi çifti kishte vizituar Parisin, kullën Eiffel dhe Champs Elysees.
Të shtunën çifti ishte takuar për të kaluar mbrëmjen së bashku. Ata ishin drejtuar nga Motta drejt Oderzo-s, por një parakalim i gabuar rezultoi fatal për Eraldën dhe një vajzë tjetër 17-vjeçare, Barbara Brotto, e cila mbeti po ashtu e vdekur. Mikele dhe një djalë tjetër që ndodheshin po ashtu në makinë u plagosën.
Në Negrisia, në apartamentin ku jetojnë familjarët e Eraldës nuk kanë dëshirë që të flasin. Atje kanë shkuar të afërm dhe miq të së resë për të ngushëlluar prindërit dhe vëllezërit e saj.
“Eralda ka ikur”, duhet t’i shpjegojnë ata të dyve.
Mediat italiane shkruan më herët se Eralda priste që të diplomohej këtë vit për estetikë. Ajo ishte fejuar me Mikele Tatanin sipas traditave shqiptare.
Sa i përket dy personave të tjerë në makinë deri më tani është bërë i ditur emri i 17-vjeçares Barbara Brotto që ndërroi jetë, ndërsa emri i djalit tjetër të plagosur nuk është bërë ende publik.
Menjëherë pasi kanë mësuar ngjarjen në rrjetet sociale ka pasur shumë reagime.
“Na dhemb zemra e po na digjet shpirti me këto ngjarje. Këto lloj aksidentesh nuk duhet të ndodhin më, fatkeqësi shumë, shumë e madhe, s’ka fjalë që na e lehtëson dhimbjen. Eralda Spahillari, do të të kujtojmë gjithmonë sa të kemi jetë. Zoti i dhentë ishalla Forcë prindërve, motrës, vëllait dhe çdo kujt që ta përballojnë humbjen tende kaq tragjike dhe kaq papritur akoma pa e nisur jetën!! Do na mungosh”, shkruan një e afërme.
Të shumta janë reagimet edhe në foton e Eraldës së postuar rreth 1 javë më parë nga Kulla Eiffel në Paris./tvklan.al