Donald Trump kërcënon Mark Zuckerberg: Do shkosh në burg përjetë

Kandidati për president në radhët e republikanëve Donald Trump kërcënoi me burgim të përjetshëm Mark Zuckerberg, nëse shefi ekzekutiv i Meta-s tenton të komplotojë kundër tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ish-presidenti ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se manjati i teknologjisë ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës në favor të Joe Biden.

“Ne po e vëzhgojmë atë nga afër dhe nëse ai bën ndonjë gjë të paligjshme këtë herë, ai do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg, ashtu si të tjerët që do të përpiqen të mashtrojnë në zgjedhjet presidenciale të 2024,” shkruan Trump në librin “Save America”, që pritet të dalë shumë shpejt.

Sipas shtëpisë botuese Winning Team Publishing, libri i Trump do të kushtojë 99 dollarë, teksa një kopje e nënshkruar me firmën e ish-presidentit do të arrijë deri në 400 dollarë.

Deklarata e Trump vjen pasi Zuckerberg i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, ku rrëfehet se administrata Biden i bëri presion Facebook-ut që të censuronte përmbajtjen e Covid-19 në vitin 2021, shkruan A2 CNN.

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet e Zuckerberg dhe tha se “inkurajonte veprime të përgjegjshme” nga Facebook për të garantuar sigurinë publike.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share