Siç ishte paralajmëruar, ashtu dhe ndodhi. Miliarderi amerikan Elon Musk do të jetë pjesë e administratës Trump. Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka emëruar në krye të një departamenti të sapokrijuar për Efikasitetin e Qeverisë. Ky departament do të funksionojë jashtë ekzekutivit amerikan.
Në këtë mënyrë, Musk do të ketë akoma më shumë ndikim, përveç faktit që është njeriu më i pasur në botë. Elon Musk dhuroi miliona Dollarë për fushatën e Donald Trump.
Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë do të bashkëdrejtohet nga Musk dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy.
Në një deklaratë, Donald Trump tha se departamenti i ri do të eliminojë burokracitë qeveritare, do të heqë rregulloret e tepërta dhe në këtë mënyrë do të ulen shpenzimet.
Departamenti i ri, edhe pse do të jetë jashtë ekzekutivit, do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën e Menaxhimit të Buxhetit.
/tvklan.al