Dollari amerikan po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, pasi investitorët vijojnë të vendosin baste se normat e interesit në SHBA kanë arritur kulmin. Në anën tjetër, jeni japonez u forcua pasi rritja e Indeksit të Çmimeve Konsumatore në Japoni ka përforcuar pikëpamjet se Banka e Japonisë së shpejti mund të heqë stimujt monetarë. Indeksi i dollarit amerikan, që mat ecurinë e monedhave kryesore përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 103.7, pranë nivelit më të ulët në 2 muaj e gjysmë. Ky indeks ka humbur 2.8% të vlerës gjatë këtij muaji, performanca më e dobët mujore në një vit.
Investitorët vlerësojnë se ekzistojnë 25% shanse që Rezerva Federale ta ulë normën bazë të interesit në takimin e muajit mars të vitit 2024. Ndërsa për Bankën Qendrore Europiane, analistët mendojnë se ulja e parë e normave të interesit mund të vijë në periudhën Qershor-Shtator të vitit të ardhshëm dhe për Bankën e Anglisë, në periudhën Maj-Gusht. Referuar të dhënave në Japoni, Indeksi i Çmimeve Konsumatore, që përjashton kostot e paqëndrueshme të ushqimeve, u rrit në 2.9% me bazë vjetore gjatë tetorit, kundrejt 3% që vlerësonin ekonomistët e anketuar nga Reuters.
Euro po qëndron lehtë mbi nivelin e 1.09 dollarëve, pasi të dhënat e publikuara në Gjermani treguan se ekonomia u tkurr me 0.1% në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me tremujorin e dytë. Një sondazh tjetër tregoi se morali i biznesit u përmirësua për të tretin muaj me radhë, gjatë nëntorit. Edhe paundi po qëndron në rritje me rreth 0.2% përballë dollarit dhe po tregtohet në rreth 1.2560, pasi të dhënat treguan se kompanitë britanike iu rikthyen rritjes në nëntor, duke shtuar mundësitë që Mbretëria e Bashkuar ta shmangë recesionin.
SCAN