XHAFERI: SHQYRTOJMË MUNDËSITË PËR ZGJIDHJE
Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski ka kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për tejkalimin e situatës së krijuar me patentë shoferët që janë me emrin e vjetër të shtetit. Siç njoftuan nga Kuvendi, Mitrevski, në koordinimin e sotëm me koordinatorët e grupeve parlamentare, ka thënë se ka paralajmërime që, grupet parlamentare do të dorëzojnë propozime të ndryshme për ndryshime ligjore, për çka theksoi se, grupet parlamentare duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar që të vihet deri te zgjidhja më e shpejtë dhe më e mirë, e cila do të jetë në interes të qytetarëve.
“Kryeparlamentari do të inicojë që sot mbledhje me ministrat e Punëve të Brendshme, Financave, Punëve të Jashtme, si dhe me numrin një të Agjencisë së Supervizionit të Sigurimit. Njëkohësisht, kryeparlamentari Mitrevski informoi se, do të mbajë takime “ad hoc” me koordinatorët e grupeve të deputetëve me qëllim që bashkërisht të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar”, thonë nga Kuvendi.
Edhe kryeministri teknik, Talat Xhaferi, deklaroi se, po punojnë në këtë çështje dhe do të ketë vendim dhe zgjidhje adekuate.
“Duhet t’i shqyrtojmë të gjitha aspektet, aty ku është i mundur vazhdimi i afatit, të vazhdohet afati, aty ku ka nevojë për ndonjë lloj tjetër të vendimit dhe zgjidhjes të zbatohen vendime dhe zgjidhje të tjera”, tha Talat Xhaferi.
Propozim ndryshime ligjore kanë paralajmëruar edhe grupi parlamentar i LSDM-së dhe ai i VMRO – DPMNE-së. LSDM-ja paralajmëroi propozim për ndryshime ligjore me të cilat pritet të vazhdohet vlefshmëria e patentë shoferëve, lejeve të qarkullimit dhe policave të sigurimit. Ndërsa nga VMRO – DPMNE-së, thanë se, kanë dorëzuar në Kuvend propozim ndryshime për dy zgjidhje ligjore, për Ligjin për dokumente të udhëtimit dhe atë të patentë shoferëve.
“Bëhet fjalë për ndryshim të dispozitave të dy ligjeve, të cilat parashohin përfundim të afateve në lidhje me këtë zgjidhje ligjore për dokumentet e udhëtimit dhe për patentë shoferët. Me këtë ndryshim, do të vazhdohet dispozita që të mund të vlejnë edhe në periudhën e ardhshme”, tha Nikolla Micevski.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi dje, një ditë para përfundimit të afatit, se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024, dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë nuk do të vlejnë dhe do të jenë të vlefshme vetëm dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo është në përputhje me ndryshimet ligjore të miratuara të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës. Ndërkohë edhe presidenti Stevo Pendarovski ka kërkuar nga partitë parlamentare që të gjejnë zgjidhje ligjore për vazhdimin e afatit për patentë shoferët dhe për librezat e vozitësve./tvklan.mk