MEXHITI: RISHIKIMI I LISTËS POZITIVE SIGURON TERAPI EFIKASE
Deri në fund të janarit të vitit 2024, lista pozitive do të zgjerohet dhe do t’i shtohen dhjetëra barna të reja, kështu njofton ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, përcjell KlanM. Ai nënvizoi se se bëhet fjalë për barna që përdoren shpesh nga pacientët me sëmundje kardiovaskulare, pacientë onkologjikë si dhe persona që përballen me probleme shëndetësore respiratore dhe neurologjike.
“Është formuar komisioni i ekspertëve që përcakton propozimin e Listës së barnave që do të bartë Fondi. Ky komision do të punojë në vazhdimësi për ndryshimin dhe plotësimin e listës pozitive të barnave dhe besoj se më në fund pas një periudhe të gjatë do të vendosim një sistem funksional për plotësimin e nevojave të pacientëve me terapi të përshtatshme”, tha Fatmir Mexhiti.
Mexhiti shtoi se lista pozitive e barnave rishikohet pas 13 vitesh, gjë që do të mundësojë disponueshmëri më të madhe të barnave të nevojshme. Sipas tij, rishikimi i listës pozitive të barnave do të sigurojë terapi më inovative dhe efektive për pacientët./KlanMacedonia