Venecia ka zbuluar detajet për tarifën e hyrjes në qytet, duke e bërë atë qytetin e parë në botë që tarifon vizitorët ditorë.
Duke filluar nga pranvera e vitit 2024, vizitorët në qytetin italian do të duhet të paguajnë 5 Euro për të hyrë në ditët e pikut. Por ky nuk është një vendim i përhershëm pasi autoritetet e Venecias kanë bërë me dije se fillimisht do të jetë një eksperiment 30-ditor. Lajmin e ka bërë publik kryebashkiaku Luigi Brugnaro nëpërmjet një postimi në Twitter.
Autoritetet kanë vendosur që të shpërndajnë ditët me pagesë përgjatë vitit dhe jo gjatë një muaji të tërë kalendarik, duke zgjedhur ditët që parashikohen të jenë më të ngarkuara, për shembull fundjavat e festave dhe periudhat e pikut të karnavaleve.
Sipas vendimit, vizitorët mbi 14 vjeç që hyjnë në qytetin e Venecias do të duhet të paguajnë tarifën e vendosur për ditët e përcaktuara nga autoritetet.
Përjashtimet ekzistojnë për vendasit, udhëtarët dhe ata me shtëpi të dyta në qytet, të cilët kanë paguar taksën lokale të pronës, si dhe për turistët që qëndrojnë gjatë natës në qytet dhe ata që marrin pjesë në ngjarje sportive. Këto kategori do duhet të regjistrohen në internet për të rezervuar udhëtimin e tyre.
Tarifa e vendosur është më pak nga ajo që ishte propozuar më përpara, pasi që nga viti 2019, autoritetet e qytetit kishin diskutuar për një tarifë që do të shkonte deri në 10 Euro për vizitorët e qytetit.
Këshilltari i qytetit për turizmin, Simone Venturini, tha në një deklaratë se ndryshimet ishin bërë nga propozimi origjinal pasi morën mendimet e qytetarëve dhe këshilltarëve të opozitës.
“Në ditë të caktuara dhe në periudha të caktuara, ne kemi nevojë për një menaxhim inovativ të fluksit të vizitorëve. Menaxhimi i turizmit është një prioritet për të ardhmen e qytetit tonë”, tha ai.
Venturini shtoi se paratë e marra nga tarifat e hyrjes do të mbulojnë koston e sistemit të rezervimit, por asgjë më shumë.
Më herët, shpresohej se paratë mund të shkonin për përmirësimin e objekteve dhe infrastrukturës për banorët, të cilët duhet të përballen me mbeturinat e hedhura në tokë nga turistët e shumtë, të cilët sipas raporteve mund të tejklaojnë banorët e Venecias me rreth pesë herë më shumë në ditët e ngarkuara të vitit.
Në Korrik 2022, kur këshilli shpalli fillimin e sistemit, këshilltari për ekonominë Michele Zuin tha se të ardhurat nga pagesa e tarfiës së hyrjes në Venecia do të shkonin për uljen e taksave lokale për banorët.
“Mesazhi që duam të përcjellim është se Venecia është e hapur, por vizitorët duhet të kuptojnë se ne kemi nevojë për planifikim të duhur për të menaxhuar ekuilibrin midis vendbanimit dhe turizmit. Banorët do të kenë një cilësi më të mirë jetese dhe vizitorët gjatë natës do të përjetojnë emocione më të gjalla,” shtoi Venturini në një deklaratë të dhënë së fundmi.
Vendimi për tarifën e Venecias pritet të miratohet nga këshilli bashkiak më 12 Shtator./tvklan.al