Kryeministri Edi Rama ka uruar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për ditëlindjen e këtij të fundit. Por kreu i qeverisë thotë se ndryshe nga vitet e tjera, kjo ditë ka qenë e vrenjtur brenda tij. Ai thotë se është mësuar që sivëllaut të tij t’ia urojë ditëlindjen me telefon siç bën prej shumë vitesh, por shton se është penguar për shkak se Thaçi është marrë peng nga Bashkësia e Lartë Ndërkombëtare për rrethana që tashmë njihen.
“Sot ka qenë një ditë e vrenjtur edhe brenda meje. Zakonisht në këtë ditë të vitit jam mësuar, prej vitesh, t’i uroj ditëlindjen sivëllait tim, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe pengesa për t’ia uruar ditëlindjen një njeriu të dashur, të gjallë e të marrë peng në rrethana të njohura, jo nga forca të errëta e të panjohura, po nga Bashkësia e Lartë Ndërkombëtare, ka gjithë ditën që më rri mbi kokë si boshllëk i zymtë, thithës e lodhës”, shkruan Rama.
“As e kam dot idenë nëse sivëllau im do të mund t’i lexojë sot këto rreshta, që as urim nuk janë edhe pse urimin që të jetojë sa malet e Shqipërisë unë po e bëj, por di me siguri që në këtë ditëlindje të Hashim Thaçit kam tërë ditën që më rri si gozhdë e ngulur në tru pyetja: A e dinin vallë ata, miqtë tanë të mëdhenj që e lindën atë gjykatë, se historia e saj do të zhvillohej kështu, kaq zymtësisht e padrejtë me njerëz që luftuan për lirinë e popullit të tyre dhe me vetë Kosovën?! Kam frikë se të vërtetën për këtë s’kam për ta marrë vesh kurrë. Po ndoshta këtë frikë e kam nga vranësira brenda meje që s’ia urova dot ditëlindjen Hashimit me telefon, siç jam mësuar prej shumë vitesh. Edhe 100 Komandant”, shkruan Rama.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi feston sot 55-vjetorin. Ai ndodhet në paraburgim në Hagë i akuzuar nga Gjykata Speciale për krime lufte. Bashkë me të janë të akuzuar edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. /tvklan.al