Gjatë pjesëmarrjes në Kosovë, në organizimin me rastin e Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kreu I BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një prononcimi për mediat në Kosovë, ka komentuar aktualitetin politik në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm.
I pyetur për Artan Grubin, Ali Ahmeti thotë se vendndodhja e Grubit është në hapësirat shqiptare dhe se shumë shpejtë do të paraqitet tek organet e drejtësisë.
“Artan Grubi nuk e kam takuar është mirë vendndodhja e tij sigurisht është në hapësirat shqiptare, është një proces që duhet të marrë epilog. nuk është arratisur nga Maqedonia ai është i gatshëm të paraqitet tek organet e drejtësisë të respektojë ligjet por jo në drejtësi hakmarrëse dhe selektive” – tha Ali Ahmeti.
Ahmeti I bëri thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë, pasi sipas tij, deklarata e Kurtit për gjuhën shqipe në RMV ka ngjallur indinjatë tek qytetarët.
“Dhe kam dashur të besoj dhe besoj që Kryeministri i Kosovës ka qenë i keq informuar nga politikanët në Maqedoni, lidhur me gjuhën zyrtare shqipe, ajo është zyrtare dhe e sanksionuar me Kushtetutë dhe me marrëveshjen e Ohrit” – tha Ahmeti.
Gjatë fjalimit të tij në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, Ahmeti bëri thirrje për unitet mbarëkombëtar por edhe me raporte të mira me miqtë ndërkombëtar.
“Nuk më vjen mirë që marrëdhëniet janë aq të ftohta me Amerikën dhe Evropën sepse pa ndihmën e tyre ne shumë vështirë do e kishim, ne lirinë e fituam dhe lamë me gjak por bashkë me aleatët e çliruam Kosovën” – tha Ali Ahmeti.
Ndryshe, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka organizuar sot një pritje për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjatë fjalës së tij, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, duke e cilësuar si guerilën më të suksesshme që arriti të sigurojë lirinë dhe të krijojë shtetin e pavarur të Kosovës. /tvklan.mk/