VMRO-DPMNE: ME KËTË PROPOZIM VENDI NË PRAG TË FALIMENTIMIT
Tashmë të dytën ditë me rradhë, në komisionin për financim dhe buxhet zhvillohet debati mbi rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Nga shumica parlamentare përsërisin se mjetet e parapara do të përdoren për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë për ballafaqim me krizën ekonomike botërore. Nga atje sqarojnë se në këtë ribalanc mjetet financiare për pafa dhe shtesa janë rritur për 9 milion euro më shumë, krahasuar me buxhetin paraprak, raporton KlanMacedonia.
“76 milion euro janë paraparë për masa të reja që kanë për qëllim ndihmën e qytetarëve dhe ekonomisë. Me këtë rishikim janë rritur mjetet financiare për paga dhe shtesa edhe atë në 526 milion euro, gjegjësisht mbi 9 milion euro më shumë krahasuar me buxhetin e miratuar para gjashtë muajsh.” – tha Lolita Ristova, deputete e LSDM-së.
Por nga opozita theksojnë se me këtë propozim të rishikimit buxetor për këtë vit, shihet qartë se vendi është në prag të falimentimit, e rrënuar ekonomikisht, e vjedhur si dhe se qytetarët janë të varfëruar çdo ditë.
“Nëse për 48% të borxhit publik LSDM tha se nuk na pret një skenar grek, tani cili skenar nuk na pret? Maqedonia është një nga vendet me rritjen më të lartë të borxhit publik nga periudha para krizës së koronës. Që nga ardhja në pushtet, në qershor të 2017-tës, deri në fund të këtij viti, ata do të krijojnë një borxh të ri neto prej mbi 3.5 miliardë euro, ndërsa shpenzimet kapitale nuk kanë qenë asnjëherë më të ulëta. Qeveria me rishikimin buxhetor ul projeksionin për rritjen ekonomike nga 4.6% në 3.2%, por ajo që nuk arrijnë ta bindin opinionin është se ato projeksione do të realizohen.” – tha Igor Zdravkovski, VMRO-DPMNE.
Ndaj ribalancit të buxhetit janë dorëzuar gjithësej 204 amendamente, prej të cilave 174 nga VMRO-DPMNE, 28 nga Aleanca për Shqiptarët dhe dy amendamente nga Lidhja Social Demokrate. /KlanMacedonia/