Sot është dita e 11-të prej kur grupet kriminale kanë vendosur barrikada në veri të Kosovës.
Si pasojë e tyre, pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të bllokuara, edhe pse janë bërë disa thirrje nga Qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar që rrugët të zhbllokohen, shkruan Klan Kosova.
Për situatën e fundit në veri ka lëshuar komunikatë edhe Policia e Kosovës, ku ka bërë me dije se janë nëntë barrikada të vendosura gjithsej.
“Që nga vendosja e nëntë barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare ‘Jarinje’ dhe ‘Bërnjak’ ende mbesin të mbyllura për qarkullim”.
“Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, ka thënë Policia.
Këto grupe të organizuara kriminale janë të njohura edhe për përdorimin e aktiviteteve të dhunshme. Ka pasur raste kur janë sulmuar autoritetet ligjvënëse vendore dhe ndërkombëtare.
Veç tyre, janë sulmuar edhe mediat. Hiç më larg se dje (19/12/2022), një ekip i Klan Kosovës është sulmuar nga një grup i personave të maskuar afër barrikadës në Zupç të Zubin Potokut.
Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku ka shprehur shqetësimin për gazetarët që raportojnë nga veriu i vendit.
“Ekipi i Klan Kosovës, i përbërë nga gazetari Haris Ademi, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, është sulmuar sot, përderisa po raportonin afër barrikadave të vendosura në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Sulmuesit në drejtim të ekipit kanë hedhur gurë, si dhe i kanë fyer e sharë”.
Kujtojmë se ky është sulmi i tretë që ndërmarrin grupet kriminale në veri të vendit ndaj gazetarëve.