Diplomati izraelit: Rasti i Kosovës mund të jetë model i zgjidhjes së konfliktit në Gazë

Rasti i Kosovës mund të jetë edhe model zgjidhjes së konfliktit në Rripin e Gazës.

Kështu ka deklaruar diplomati izraelit, Alon Pinkas, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pinkas, i cili ishte këshilltar i disa ministrave dhe kryeministrave izraelitë, deklaroi se një prani ndërkombëtare në Gazë, e ngjashme me administrimin ndërkombëtar të pasluftës në Kosovë mund të vendosë themelet e një procesi të ri politik si rrugëdalje nga konflikti në Lindje të Mesme.

“Është e vërtetë dhe unë nuk po bëj krahasim të plotë dhe të nxjerr përfundimin nga krahasimi ndërmjet Gazës e Bregut Perëndimor dhe Kosovës. Aty bëhej fjalë për Jugosllavinë, për konflikte etnike në atë rajon, kishte fuqi rajonale dhe fuqi të tjera. Në atë kohë Bashkimi Evropian po konsolidohej, Rusia ishte e dobët, Kina ishte larg të qenurit fuqi botërore dhe Shtetet e Bashkuara gjatë fundit të viteve ‘90 po dominonin në sistemin njëpolar. Andaj unë nuk po bëj krahasim mes të dyjave. Ajo që po them është se kjo mund të ndodhë nëse ka pajtim, që do të thotë nëse Autoriteti Palestinez bie dakord dhe Arabia Saudite ndihmon në financimin e një misioni ndërkombëtar, nëse Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë në krijimin e tij, nëse NATO është e gatshme të dëgojë ekspertë civilë, sepse askush nuk pret forcë ushtarake tash për tash. Mund të jetë edhe forcë e Kombeve të Bashkuara që vepron nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Nëse më toni se ekzistojnë 27 arsye të forta se përse se një gjë e tillë nuk do të funksionojë, do të pajtohem me ju. Por, unë i kam edhe 28 arsye se përse asgjë tjetër nuk ka funksionuar. Duhet të jemi me mendje të hapur. Po u them palestinezëve të jenë të hapur për një proces paqeje, fundi i të cilit do të rezultonte me lindjen e shtetit të tyre. Duhet të përfshihen në proces dhe të mos bëhen refuzues. Mos të thonë jo, mos të thonë se nuk do të funksionojë, vetëm nëse duan një valë të re dhune pas dy, tre ose katër vitesh”, tha ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share