DIALOGU PRISHTINË – BEOGRAD
Ka nisur takimin me kryeministrin Albin Kurti ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë James O’brien. Ai po qëndron në Kosovë pas një vizite që kishte në Serbi.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, po qëndron në Kosovë.
Ai paraprakisht ishte në Serbi ku kërkoi nga të dyja palët zbatimin e marrëveshjeve të arritura për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfshirë edhe Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe.
“Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë” – tha James O’Brien -Ndihmëssekretar I SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë.
N ënjë intervistë për televizionin public të Serbisë, zyrtari i lartë amerikan tha po ashtu se duhet të ketë një diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Tha se ka pasoja për moskoordinim të veprimeve të Prishtinës me Uashingtonin.
“Ka pasoja, dhe pasoja më e madhe ishte që shtetet në Evropë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E gjithë kjo për shkak të moskoordinimit” – tha O’Brien
Zyrtari amerikan po ashtu e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikëkalimit kufitar në Merdarë për mallrat serbe, ndalesë që ishte vendosur në korrik të vitit 2023.
O’Brien më 20 tetor ka qëndruar në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.