Kundërshtojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e Dinarit si mjet pagese
Protesta e organizuar nga pensionistët serbë të Kosovës dhe e përkrahur nga Lista Serbe po mbahet ditën e sotme në veriun e Mitrovicës.
Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha raporton për Klan News se ata janë të pakënaqur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që Euro të jetë valuta e vetme në Kosovës pasi deri më tani, në të gjitha komunat me shumicë serbe është përdorur Dinari serb pjesën më të madhe të rasteve.
Ndërkohë, vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit ka përplasur ashpër pak ditë më parë Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kreu i qeverisë së Kosovës i cilësoi të rreme pretendimet e Vuçiçit për spastrim etnik dhe shkelje e të drejtave të serbve në veri të Kosovës. Ai tha se këto akuza bëhen nga një qeverisje autoritare me në krye vetë Alekasander Vuçiçin.
Kurti deklaroi se vetë serbët në veri janë të frikësuar nga grupet kriminale dhe strukturat paralele që financohen nga Serbia për të rritur tensionet.
“Kjo duhet të ndalojë,” tha Kurti në OKB.
Nga ana tjetër, Presidenti Aleksandër Vuçiç kërkoi në këtë mbledhje jashtë radhe që të frenohet politika e autoriteteve të Kosoves ndaj pakicës serbe pasi mund të ketë dëme të riparueshme në mbijetesën e tyre. Ai kërkoi themelimin sa më parë të bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
“Në një situatë të tillë, pa një reagim të duhur, mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Rregullorja e Bankës Qendrore është goditje ndaj mbijetesës së serbëve dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me vendimin për të ndaluar transaksionet në dinar, regjimi në Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndalon çdo operacion në të gjitha institucionet shëndetësore, arsimore, sociale dhe kulturore, që u mundësojnë serbëve që të kenë gjërat bazë”, u shpreh Vuçiç.
/tvklan.al