Përfaqësuesit e Listës serbe kanë thënë se vendet e QUINT-it janë përgjegjëse për veprimet e Albin Kurtit. Sipas tyre, në Kosovë po bëhet spastrimi etnik dhe po ndodh një “stuhi” për serbët.
Lista serbe ka bërë thirrje që udhëheqësia e Serbisë bashkë me faktorin ndërkombëtar, sic thanë, të parandalojnë eksodin e serbëve nga Kosova.
“Ata do të jenë bashkëpjesëmarrës të drejtpërdrejtë nëse vjen deri te eksodi I popullit serb nga Kosova. Vendimi për shfuqizimin e institucioneve serbe që kujdesen për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe asistencën sociale, po ua shfuqizon jetën serbëve” – tha Zlatko Elek, kryetari i Listës Serbe.
Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.