Dinari serb në Kosovë – Edhe KE-ja shton presionin ndaj Kosovës

Zërave kritikë ndaj Kosovës për dinarin serb të SHBA-së e BE-së i është bashkuar edhe Komisioni Evropian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marr parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, tha Eric Mamer, zëdhënës i KE-së.

Ndërsa një ditë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, shprehur frikën e tensioneve të reja në veri ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca duke e siguruar ambasadorin amerikan se situata në veri nuk del jashtë kontrollit vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë.

“Shqetësimi ishte që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi. Ne i sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe që siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, u shpreh Glauk Konjufca.

Sipas tij dinari serb është dashur të mos përdoret që kur Serbia është larguar nga Kosova. Ndërsa pranoi faktin se ka pasur mundësi që para vendimit të jepej një afat kohor.

“Nëse thoni se është dashur t’i mbledhim bashkësinë ndërkombëtare dhe t’ju tregojmë paraprakisht për këtë veprim, është temë tjetër. Ndoshta ka mundur të jepet ndonjë afat kohor, për shembull dymujor më herët që të ketë përgatitje, por kjo është konsideruar çështje që nga ana e Qeverisë dhe BQK-së një çështje që nuk do të shkaktojë probleme dhe turbulenca sepse ligji është i shkruar. E vetmja çështje ka qenë që institucionet të marrin masa për rregulloret e shkruara”, tha Konjufca.

Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit tha të enjten se vendimi për dinarin ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb, është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999.

Sipas tij në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara. Ndërsa vendimin e ka quajtur si të qëllimshëm./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share