Euro2024 dhe kontrata me PSG pengesë për kalimin te Real Madrid
Thashethemet për të ardhmen e Kylian Mbappe vijojnë të pushtojnë faqet e para të mediave spanjolle. Kalimi i sulmuesit francez te Real Madrid është thuajse i sigurtë dhe ajo që mbetet për tu përcaktuar është data e prezantimit.
Një vendim që kalon përmes disa problematikave, ndikuar nga fakti që Mbappe do të jetë pjesë e Francës në finalet e kampionatit Europian të kësaj vere. Trajneri Didier Deschamps ka gati planin për të grumbulluar kombëtaren të paktën dy javë para turneut gjerman, që nis më 14 Qershor dhe zgjat deri më 14 Korrik.
Ky impenjim përjashton mundësinë që Mbappe të jetë prezent në “Santiago Bernabeu”para kësaj date, teksa një fakt për tu zgjidhur është edhe ecuria e PSG në Champions League, me finalen që luhet më 1 qershor në mitikun “Ëembley”.
Por, sipas “AS” koha e firmës me 25-vjeçarin shtyhet edhe për shkakun se PSG nuk do lejonte transferimin përpara datës 30 Qershor kur edhe i skadon kontrata në kryeqytetin francez, ndërsa ajo që mund të zgjidhej mes palëve do të ishte përfshirja e Mbappe në ekipin Olimpik të Francës.
Periudhë që në Spanjë nuk e kanë asnjë problem, sepse Mbappe do të përshtatej shumë shpejt me skemat dhe lojën e Carlo Ancelotti.