Përmes një komunikate për media, Koalicioni VLEN ka reaguar për djegien e një billboard promovues të kandidatit të tyre për president, Arben Taravarit, në qytetin e Shkupit.
Nga opozita shqiptare thonë se rastin nuk e shohin si aksident, teksa kanë kërkuar dhe dënim të personave të përfshirë në vepër.
Reagimi i plotë:
Koalicioni VLEN ngre zërin për djegien e një billboardi të kandidatit Arben Taravari, gjatë mesnatës, në Shkup. Fajtorët duhen dënuar prej ligjit, sepse ata do të dënohen rëndë edhe prej votës. Billboardi menjëherë do të zëvendësohet, mirëpo ata do të humbin.
Sot në orët e mesnatës u njoftuam se ishte vënë flakë te një billboard për kandidatin Arben Taravari në rrugën pranë Kopshtit Zoologjik, në Shkup. Ne do të dëshironim të besonim se është aksident, por billboardi në anën tjetër nuk ishte prekur aspak.
Dihet cila parti mban në radhët e saj rrugaçë dhe kriminelë, dihet se cila parti e përdor pushtetin për të pasuruar veten dhe për të frikësuar popullin. Koha e frikës ka mbaruar. Ata që djegin billboardet nga inati se po humbin zgjedhjet, duhet të dënohen edhe nga ligji e drejtësia, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. /TvKlan.mk