Dhoma e Ulët e Parlamentit italian miraton marrëveshjen me Shqipërinë për migrantët

Dhoma e Ulët e Parlamentit italian ka miratuar marrëveshjen e Qeverisë me Shqipërinë, që ka të bëjë me strehimin e migrantëve, gjatë periudhës që ata aplikojnë për azil.

Kjo marrëveshje është një prej marrëveshjeve kryesore të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të ndarë barrën e migrantëve me pjesën tjetër të Evopës.

Propozimi, që kalojë me 155 vota për, 115 kundër dhe dy abstenime, tani duhet të shkojë në Senat, ku forcat e krahut të djathtë të Melonit kanë shumicën.

Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftuan për arritjen e kësaj marrëveshjeje nëntorin e vitit të kaluar. Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 migrantë për një vit, në dy qendra brenda shtetit, përderisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Italia për një kohë të gjatë ka kërkuar solidaritet nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket ndihmës për t’u përballur me dhjetëra mijëra migrantë që arrijnë në këtë shtet çdo vit.

Shqipëria po shpreson që t’i bashkohet bllokut evropian dhe Italia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Tiranës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur marrëveshjen, të cilën e ka cilësuar si një nismë të rëndësishme dhe një ide kreative për të menaxhuar çështjen e migrimit.

Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim me marrëveshjen, duke argumentuar se Italia po shmang obligimet e saj ndërkombëtare. Opozita italiane e qendrës së majtë e ka cilësuar marrëveshjen si një propagandë të shtrenjtë të Qeverisë para zgjedhjeve evropiane që do të mbahen më vonë gjatë vitit, dhe një përpjekje të turpshme për ta shndërruar Shqipërinë në një “Guantanamo” të Italisë.

Në dhjetorin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi ratifikimin e marrëveshjes, pasi tha se do të bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së paktit. Por, Rama është shprehur i bindur se Kushtetuesja nuk do të gjejë shkelje në këtë marrëveshje.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share