Dhjetëra mijëra qytetarë mbushën Sheshin në Terazie. Numri i protestuesve ishte aq i madh sa që kamerat e disa televizioneve patën probleme me regjistrimin e fjalimeve të parapara në këtë tubim. Protesta u ndoq nga kanale të shumta në rrjetet sociale, por edhe aty kishte probleme të mëdha teknike.
Supozohet se në protestë kishte rreth 30.000 qytetarë, por ishte e vështirë të konstatohej me siguri, sepse turma u përhap në të gjithë qendrën e Beogradit. Edhe policia pranon zyrtarisht se ishin rreth 30 mijë persona, por disa liderë opozitarë pretendojnë se kishte rreth 80 mijë persona.
Qeveria si promotore e Rio Tinto
Protesta e Beogradit kundër minierave të litiumit dhe kompanisë Rio Tinto është, në një farë mënyre, kulmi aktual i protestave që tashmë kanë filluar në të gjithë Serbinë. Nga njëra anë është një pakënaqësi kaq e madhe e qytetarëve, e nga ana tjetër tentativa, gati paniku i pushtetarëve, për ta justifikuar dhe promovuar këtë projekt.
Autoritetet angazhuan të gjitha burimet politike dhe mediatike për t’i paraqitur kundërshtarët e projektit si luftëtarë kundër përparimit të Serbisë, dhe se protestat janë në fakt një përpjekje për të rrëzuar me dhunë autoritetet. Në këtë kuptim, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi “se ka marrë njoftim nga shërbimet sekrete ruse se nën maskën e protestave po përgatitet grusht shteti në rrugë dhe rrëzimi i qeverisë”.
Serbia – deponi e pistë?
Mesazhi bazë i kësaj proteste është: “Rio Tinto nuk duhet të gërmojë”. Aktorja Jelena Stupljanin thotë: “Evropa po i kthehet ruajtjes së mjedisit, ndërsa qeveria jonë kërkon ta shesë atë, vetëm që autokrati të mbetet në pushtet”.
Jelena Braloviq, nga Aleanca e Organizatave Mjedisore të Serbisë, thekson se Serbisë i janë vënë tre litarë në fyt, “njëri nga korporatat e huaja, tjetri nga ambasadorët e udhëhequr nga Hill dhe i laku i tretë nga karteli që i solli atje”. Ndërsa “Oskar” (siç quhet Vuçiqi në një inçizim!) mblodhi të gjitha forcat për të na treguar se jemi tradhtarë, tha ajo dhe shtoi: “Kushëriri Scholz, tezja Ursula, dhe vëllai Putin, dhe të afërmit nga BE-ja dhe e gjithë mafia u ngritën për të thënë se disa fshatarë nga Jadari mund ta shesin Serbinë”.
Aktorja Svetlana Bojkoviq thotë se “po fshihet nga qytetarët se po sakrifikohemi si një deponi e pistë”. Dragana Gjorgjeviq, këshilltare shkencore nga Instituti i Kimisë, Teknologjisë dhe Metalurgjisë, tërheq vëmendjen për faktin se Serbia tashmë ka mbi 5000 deponi dhe se është regjistruar se teknologjitë e pista që nuk mund të përdoren në vendet e tyre mbërrijnë në Serbi.
Zlatko Kokanoviq, nga organizata “Nuk e japim Jadarin”, njoftoi të pranishmit se ai dhe bashkëluftëtarët e tij “pësojnë tortura të pabesueshme nga kryesimi i pushtetit që reklamon projektin Rio Tinto në rrjetet sociale dhe pastaj na akuzojnë se kemi marrë para. Ata na ftuan sot në Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA), ku na paralajmëruan se bllokimet janë kundër ligjit.
Aktivistët dhe qytetarët kanë bllokuar hekurudhën pranë stacionit të Prokopit në Beograd. Ndërsa organizatorët thonë se në ditët në vijim do të bllokohen edhe pika të tjera hekurudhore në mbarë Serbinë.
Rrafshina Jadar ku do të nxirret litiumiRrafshina Jadar ku do të nxirret litiumi
Rrafshina Jadar ku do të nxirret litiumiFotografi: Andrej Isakovic/AFP/Getty Images
Një projekt për të qëndruar në pushtet
Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në Beograd tregon se pothuajse të gjithë qytetarët e Serbisë, pavarësisht nga përkatësia politike, janë kundër këtij projekti të Aleksandër Vuçiqit, thekson për DW gazetari Slobodan Stupar.
“Miniera Rio Tinto është një projekt i Aleksandër Vuçiqit për të qëndruar në pushtet edhe për një kohë, me ndihmën e disa fuqive perëndimore dhe një korporate të madhe. Unë mendoj se ai e teproi për shkak të lakmisë së tij dhe besimit se ai është i pagabueshëm. Aleksandar Vuçiq, përveç që do të ketë problem me qytetarët e Serbisë, do të ketë problem edhe me vetë kompaninë Rio Tinto dhe me ata të cilëve u ka premtuar këtë projekt”, thotë bashkëbiseduesi ynë. Opozita deri tani nuk ka treguar ndonjë fuqi për të realizuar ndonjë ndryshim në Serbi. Slobodan Stupar thotë se tek ata po shihet një lloj paaftësie dhe frike. Megjtihatë ai është i bindur se Aleksandar Vuçiq nuk mund të përdorë dhunën, për shkak se kontrollohet nga të tjerët. Mendoj se ate do ta pengonte vetëm rënia e shpejtë e çmimit të litiumit, thotë Stupar.
Vuçiq akuzon opozitën
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të dielën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka akuzuar opozitën dhe organizatorët për keqpëdorim të situatës dhe përpjekje për rrëzimin e pushtetit. Ai tha se Serbia do të vazhdojë me planet për litium dhe zhvillim ekonomik. Vuçiqi në këtë konferencë foli edhe për gjendjen nëKosovë. Sipas tij, më 14 apo 15 gusht do të ketë një përpjekje për hapjen e urës mbi lumin Ibër./ DW