Detaje nga vrasja e Elson Kalaverit: Si u fut në kurth nga shqiptari tjetër

Detaje të reja janë publikuar në mediat italiane në lidhje me vrasjen e Elson Kalaverit, ngjarje e ndodhur më 18 Gusht të vitit 2022 në Sasso Pisano të Italisë.

Shkëlzen Keçi është porositësi i kësaj ngjarje të rëndë. Ai donte të marrte hak për vdekjen e vëllait të tij Gent Keçi.

Ky i fundit u plagos rëndë në vitin 2014 nga Kolaveri në komisariatin e Mamurrasit dhe ndërroi jetë pas disa vitesh.

Mediat italiane janë ndalur tek bashkëpunëtorët e Keçit për të realizuar atentatin. Fillimisht ka qenë një 40-vjeçar shqiptar banues në Castelnuovo Val di Cecina.

“Kur bashkatdhetari (Keçi) i kërkoi ndihmë që të zgjidhte një çështje personale, 40-vjeçari, banues në Castelnuovo Val di Cecina u tregua menjëherë i gatshëm”, shkruan Il Tirreno.

Sipas të njëjtave burime, ky person kishte po ashtu hesape për të larë me Kalaverin. Mes të dyve ka pasur debate mbi një borxh që lidhej me një sasi droge.

Duke përdorur këtë arsyetim 40-vjeçari shqiptar, ka bindur 36-vjeçarin Kalaveri për t’u takuar. Kështu u krijua mënyra për ta vënë në kurth të riun.

Detyra për ta ekzekutuar u ishte dhënë 3 vrasësve napoletanë, një 26-vjeçar dhe 45-vjeçar që kanë qëlluar me armë, ndërsa një 30-vjeçar ishte në mbështetje të tyre.

Ditën e vrasjes viktima arriti në Sasso Pisano rreth orës 17:00. Ai u takua në një lokal me shqiptarin që e kishte futur në kurth. Në këtë moment “puna” e shqiptarit kishte mbaruar.

Kalaveri shoqërohej nga një shqiptar tjetër, i cili ishte në drejtimin e makinës tip Mercedes Benz. Pas largimit nga lokali, vrasësit u informuan për prezencën e shënjestrës së tyre.

Kur Benz-i futet në rrugë, bllokohet nga një makinë dhe këtu nisi suli. Shoferi përpiqet të largohet dhe shkon në drejtimin e një picerie, me gomat që i kishin rënë në fund. Këtu u përpoqën t’i japin ndihmën e parë Kalaverit, por gjithçka kishte marrë fund.

Autorët e kësaj ngjarje u arrestuan pak ditë më parë (Lexo më shumë). Porositësi i kësaj ngjarje, Shkëlzen Keçi u kap në Fushë Krujë dhe pritet që të ekstradohet në Itali. Pjesa tjetër e autorëve u kapën në vendin fqinj./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share