Edhe pas dy raunde takimesh bilaterale kanë dështuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për një takim trepalësh me kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, fajin e ka hedhur te kryeministri Albin Kurti.
“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot”.
Tha se Kurti i ka vendosur tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit.
“Kryeministri Kurti pati tri kërkesa. Formalizimi i marrëveshjeve bazike duhet të nënshkruhet nga shefat përkatës të qeverive. 2 Tërheqja e letrës së rezervimit të deportuar nga ish-kryeministrja e Serbisë, e datës 13 dhjetor. 3. Dorëzimin i Milan Radoiçiçit dhe grupit të tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore kosovare. Serbia nuk ishte e gatshme t’i pranojë kërkesat e Kosovës”.
Sipas tij të dyja palët janë përgjegjëse për mospërmbushjen e asaj për çka janë zotuar.
“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit. Draftstatuti evropian që ofron një mënyrë moderne për tu marrë me këtë çështje. Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia. Sot patëm një takim tjetër. Diskutimet ishin siç pritej, të vështira si gjithmonë.
Para takimit, BE-ja ka prezantuar një propozim të ri që do të udhëzonte planin e zbatimit të marrëveshjes.
Tv Klan