Dështon misioni i të dërguarve perëndimorë me Kurtin e Vuçiçin

Lajçak konsideron sulm terrorist 24 Shtatorin, Kosovës i kërkon Asociacionin

Misioni i pesë të dërguarve të perëndimit ka përfunduar pa sukses në Beograd e Prishtinë. Ata kërkuan zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes të dy palëve përfshirë themelimin pa vonesë të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

Në Prishtinë Lajçak foli për një plan të ri për ecjen përpara në dialog, por pa dhënë detaje. Në Beograd Lajçak e konsideroi sulm terrorist 24 Shtatorin duke i kërkuar Serbisë veprime konkrete për dënimin e njerëzve të përfshirë në të.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin terrorist në Banjskë ndaj policisë së Kosovës më 24 Shtator. Të gjithë autorët duhet të sillen para drejtësisë ndaj në këtë drejtim presim bashkëpunim të plotë dhe veprime konkrete nga ana e Serbisë”.

Pas takimit me Lajçak, Escobar dhe përfaqësuesit e disa shteteve evropiane, Vuçiç tha se pati me ta një bisedë të vështirë. Kurti ka deklaruar se çështje urgjente për të është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit e cenuar nga Serbia. Sipas tij është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.

Lajcak paralajmëroi biseda të tjera në ditët në vijim me presidentin serb Vuçiç dhe kryeministrin kosovar Albin Kurti. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në axhendën e takimit të së hënës të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe kjo çështje do të diskutohet nga liderët e Bashkimit Evropian në fund të javës së ardhshme në Këshillin Evropian.

Sipas Lajçak, të dy liderët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre për t’i sqaruar ata drejt lidhur me zhvillimet e fundit nëpërmjet komunikimit korrekt publik.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share