Dështon hapja e korridorit humanitar në Severodonetsk

Forcat ruse kanë akuzuar Ukrainën se i ka sjellë qëllimisht civilët në fabrikën kimike për t’i përdorur si mburojë

Ukraina nuk tregoi asnjë shenjë se i bindej një ultimatumi rus për të dorëzuar qytetin lindor Severodonetsk.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka ripërsëritur apelin e tij për raketa të avancuara. Ukraina ka sisteme më të vjetra të epokës sovjetike si raketat me rreze të gjatë S-300 dhe raketat Buk-M1 me rreze të shkurtër veprimi.

Ndërsa Rusia bombardon forcat ukrainase me artileri, ajo po gjuan gjithashtu raketa detare, tokësore dhe ajrore në të gjithë vendin. Moska njoftoi se raketat e saj goditën një magazinë municioni në rajonin e Lviv, në drejtim të perëndimit.

Planet e shpallura nga Moska për të hapur një korridor humanitar për civilët të bllokuar në uzinën Azot u ndërprenë. Separatistët e mbështetur nga Rusia fajësojnë bombardimet nga Ukraina për bllokimin e korridorit humanitar.

Ukraina thotë se më shumë se 500 civilë janë bllokuar së bashku me ushtarët brenda fabrikës kimike Azot, ku forcat e saj i kanë rezistuar javëve të tëra bombardimeve dhe sulmeve ruse që kanë shkatërruar pjesën më të madhe të Severodonetsk.

Ndërkaq vullnetarët që ndihmonin vendasit të evakuoheshin nga Kherson thanë se kishin parë kërkesë në rritje nga njerëzit që dëshironin të largoheshin nga qyteti . Evakuimi i qytetit ka qenë i vështirë dhe OKB-ja dhe Kryqi i Kuq thanë se nuk kishin drejtuar asnjë rrugë evakuimi pasi nuk kishin mundur të merrnin garanci sigurie nga të dyja palët.

Raportet në mediat ruse kanë akuzuar trupat ukrainase për sjelljen e civilëve në fabrikën kimike Azot në qytet për t’i përdorur ata si mburoja njerëzore. Buletinet në Rusi vazhdojnë të raportojnë rënien e Severodonetsk, i cili është shkëputur efektivisht nga pjesa tjetër e Ukrainës që kur trupat ruse hodhën në erë një numër urash kyçe.

Ukraina pretendon se rreth 250 ushtarakë rusë janë vrarë në 24 orët e fundit, në ditën e 111 të pushtimit të vendit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova është shprehur se dënimet me vdekje të dhëna për luftëtarët e huaj në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetsk do të përbënin një “shembull të qartë për ushtarët e tjerë që luftojnë për Ukrainën“.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share