Dështojnë negociatat për rritjen e tavanit të borxhit në SHBA

Ekonomistët paralajmërojnë se një mospagim i gjatë i tij mund ta çojë ekonominë amerikane në një recesion të thellë

Takimi midis kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe presidentit amerikan Joe Biden në lidhje me rritjen e kufirit të huamarrjes nuk solli asnjë rezultat. Pas rreth një ore bisedimesh në Zyrën Ovale, Biden dhe Kevin McCarthy nuk treguan shenja të një zgjidhje të kësaj çështje teksa po afrohet 1 Qershori dhe qeveria rrezikon të dështojë në përmbushjen e detyrimeve financiare.

Kaosi financiar dhe ekonomik do të pasojë nëse Kongresi nuk vepron për të rritur kufirin e borxhit në mënyrë që qeveria amerikane të marrë hua të tjera për të paguar shpenzimet, një paralajmërim që e dha në fillim të kësaj jave edhe Sekretarja e Thesarit Janet Yellen. Ekspertët shprehen se situata mund të ketë edhe pasoja ndërkombëtare.

“Unë do t’ju kujtoj, borxhi kombëtar u rrit 40% në kohën e paraardhësit tim. Dhe ky është problemi me të cilin po merremi sot. E reduktova borxhin me 1.7 trilion Dollarë. Asnjë president nuk e ka bërë ndonjëherë këtë. U thashë udhëheqësve të Kongresit se jam i përgatitur të filloj një diskutim të veçantë për buxhetin tim dhe prioritetet e shpenzimeve, por jo nën kërcënimin e falimentimit.”

Presidenti këmbëngul se rritja e kufirit të borxhit është e panegociueshme, duke thënë se shkurtimi i shpenzimeve duhet trajtuar veçmas si pjesë e procesit të buxhetit vjetor.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan së fundmi një projekt-ligj gjithëpërfshirës për të ulur shpenzimet, por ky legjislacion nuk ka asnjë shans të miratohet në Senatin e kontrolluar nga demokratët, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar me veto.

Ekonomistët paralajmërojnë se një mospagim i gjatë mund ta dërgojë ekonominë amerikane në një recesion të thellë me papunësi në rritje, ndërsa destabilizon një sistem financiar global të ndërtuar mbi bonot amerikane.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share