Deri në 4 milionë në vit! Ukraina po rrit me shpejtësi prodhimin e dronëve dhe armëve të tjera

Ukraina mund të prodhojë katër milionë drone në vit dhe po rrit me shpejtësi prodhimin e armëve të tjera.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky.

Duke folur të martën me drejtuesit e dhjetëra prodhuesve të huaj të armëve në Kiev, Zelensky tha se Ukraina kishte kontraktuar tashmë për të prodhuar 1.5 milion dronë këtë vit.

Prodhimi i dronëve praktikisht nuk ekzistonte në Ukrainë përpara fillimit të agresionit nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

“Në kushte jashtëzakonisht të vështira të luftës në shkallë të plotë nën sulmet e vazhdueshme ruse, ukrainasit ishin në gjendje të ndërtonin një industri praktikisht të re të mbrojtjes”, citohet të ketë thënë Zelensky.

Ukraina trefishoi prodhimin e saj të përgjithshëm të armëve vendase në vitin 2023 dhe më pas dyfishoi përsëri atë vëllim vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti, tha kryeministri Denys Shmyhal në të njëjtën mbledhje.

Dhe më shumë se 31 muaj nga lufta e saj me forcat ruse, dhe pa një fund në horizont, Ukraina tani shpenzon afërsisht gjysmën e buxhetit të saj shtetëror – ose rreth 40 miliardë dollarë – për mbrojtje.

Ukraina gjithashtu merr sasi të mëdha ushtarake si dhe mbështetje financiare nga aleatët e saj perëndimorë. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share