Deputetja e VV-së: Sistemi i drejtësisë po i saboton denoncimet e pushtetit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, konsideron se sistemi i drejtësisë po i saboton denoncimet e pushtetit. Por me këtë nuk po pajtohet hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, i cili i cilëson ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Shala ka kërkuar që pavarësisht “të metave”, pushteti nuk duhet të ndërhyjë por siç thotë të ndërmarrë reforma që kanë për qëllim avancimin e sundimit të ligjit.

Sipas deputetes së VV-së, shumë shkelje janë evidentuar nëpër ministri por që nuk kanë marrë epilog përfundimtar në Gjykatë.

Në një prononcim, Ujkani thotë se Qeveria e Kosovës po e ka të vështirë ta realizojë premtimin e madh që e kanë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Gjithçka lidhet zinxhir sepse ne kemi ardhur këtu me një premtim të madh për një ndryshim rrënjësor në të gjitha sferat e institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe po e shohim se po hasim në vështirësi dhe në sabotazh nga krerët e institucioneve kompetente siç janë gjyqësori dhe prokuroria dhe po e shohim se cilat lëndë u gjejmë shkelje dhe të gjetura nëpër ministri ku ministra të ndryshëm udhëheqin në to, dhe po e shohim se asnjë nuk po procedohet dhe nuk po merret verdikti se si e meritojnë që personat të cilët kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare nuk po u jepet verdikti final dhe nuk po u jepet vendimi i merituar”, tha Ujkani.

E si pasojë e mosreagimit nga gjyqësori, Ujkani i vlerëson si vështirësi për të implementuar agjendën e tyre politike.

“Ju vetë e thatë se çka është problemi në mes prokurorisë dhe ministrave të cilët po dalin dhe publikisht po dalin dhe po denoncojnë raste për keqpërdorime brenda institucioneve relevante dhe kjo padyshim që është një vështirësi e madhe dhe nuk po mundemi ta përmbushim agjendën tonë politike ashtu siç e kemi premtuar por me gjithë ato mundësi dhe kapacitete që i kemi po besoj se ne jemi në rrugën e duhur dhe nuk e kemi ndër mend të ndalemi”, tha Ujkani për EO.

Por hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, këto deklarime i quan ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Ai thotë se pavarësisht të metave që i ka sistemi i drejtësisë nuk i takon ekzekutivit që të merret me akuza.

Shala thotë se ekzekutivi duhet të ndërmarrë reforma që kanë për qëllim avancimin e sundimit të ligjit.

“Ajo çfarë duhet të bëjë qeveria janë reformat në sistemin e drejtësisë për të cilat ka mandat. Fatkeqësisht jo në pak raste ne kemi parë se janë deklaruar duke akuzuar sistemin e drejtësisë por jo duke ndërmarrë vendime adekuate për abuzimin në këtë fushë. Qeveria e ka proceduar draftkodin e procedurës penale i cili më pastaj është miratuar dhe tani ka hyrë në fuqi kodi i ri i procedurës penale”, thotë ai.

Shala ka kërkuar që pavarësisht “të metave”, pushteti nuk duhet të ndërhyjë por siç thotë të ndërmarrë reforma që kanë për qëllim avancimin e sundimit të ligjit.

“Në kodin e ri të procedurës penale përkundër përcaktimeve të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë, nuk është përcaktuar e drejta për mjet gjyqësor ndaj vendimeve prokuroriale. Në këtë situatë në secilin rast të deponuar nga ana e një ministrie të caktuar, nëse prokuroria do ta hudhte kallëzimin penal më pas ministria do të kishte të drejtë të ankohej në gjykatë ndaj vendimit për hudhjen e kallëzimit penal. Dhe këtë nuk e ka bërë pikërisht qeveria dhe kuvendi me rastin e miratimit të kodit të ri të procedurës penale. Pavarësisht të metave që i ka sistemi i drejtësisë nuk i takon ekzekutivit që të merret me këto të meta, mirëpo i takon që të ndërmarrë reforma që kanë për qëllim avancimin e sundimit të ligjit dhe jo deklarime të tilla duke akuzuar haptazi sistemin e drejtësisë”, thotë ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share