Vuçiç kërcënon me dorëheqje, Serbia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme
Debati dy ditor për Kosovën në parlamentin serb ka provokuar skandale të njëpasnjëshme. Pasi në website-in zyrtar të qeverisë u publikua një njoftim në anglisht për seancën ku shkruhej se u fol për Republikën e Kosovës, një tjetër skandal ka tronditur vendin.
Gjatë debatit parlamentar teksa për dialogun me Prishtinën fliste presidenti Vuçiç një nga deputetet e koalicionit qeveritar serb me origjinë nga Kosova po shihte në celularin e tij filma për të rritur.
Deputeti Zvonimir Steviç, anëtar i Komisionit Parlamentar për Kosovën, pjesë e Partisë Socialiste u detyrua nga partia e udhëhequr nga zv/kryeministri Daçiç të dorëzojë mandatin, por presidenti Vuçiç ka dalë i irrituar nga këto zhvillime.
Ai ka mbledhur në një takim urgjent ministrat, kryeministren Brnabiç dhe kreun e parlamentit Vladimir Orliç. Sipas burimeve të mediave serbe presidenti u ka thënë bashkëpunëtorëve të tij se ishte i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kreu i shtetit serb citohet të ketë thënë se ishte shumë i zhgënjyer nga sjellja e socialistëve.
Mediat serbe duke iu referuar burimeve në udhëheqjen e partisë së presidentit Vuçiç shkruajnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi mund të mbahen në muajin Shtator.
Klan News