Shkup, 9 korrik 2024 (MIA) – Dënime me burg dhe një dënim burg me kusht, shqiptoi Gjykata Themelore Penale Shkup për të akuzuarit të cilët dje e pranuan fajin në lëndën “Zinxhiri”, i cili ka të bëjë me evazion fiskal. Akuzohen për “shoqërim kriminal”, “pastrim parash” dhe “evazion fiskal”.
I akuzuari i parë Sasho Vuçkov mori dënim me burg prej dy vjet e gjysmë, babai i tij dy vjet burg dhe një mijë euro dënim, nëna e të akuzuarit të parë mori një vit e njëmbëdhjetë muaj dënim me burg dhe një mijë euro dënim. Dy të akuzuarit e tjerë, të cilët e pranuan fajin, morën nga dy vite burg dhe nga një mijë euro dënim. Vetëm një nga gjashtë personat të cilët dje para Gjykatës e pranuan fajin, mori dënim burg me kusht.
Për gjashtë firma përfaqësues të të cilëve, gjithashtu, dje e pranuan fajin gjykata shqiptoi dënim në të holla, por edhe ndalesa për pjesëmarrje në thirrje publike dhe koncesione.
Rasti Zinxhir në të cilin të akuzuar ishin mbi tridhjetë persona fizikë dhe juridikë ka të bëjë me evazion fiskal prej rreth 8 milionë euro. Për 11 të akuzuarit e tjerë të cilët nuk e pranuan fajin procedura vazhdon.
Më parë Prokuroria Publike njoftoi se me gjashtë nga të akzuarit dhe gjashtë persona juridikë përgjegjës në rastin “Zinxhiri” ishin arritur marrëveshje, me të cilat janë kthyer jo më pak se 1.000.000 euro në buxhetin e shtetit.
Procedura hetuese kundër 26 pronarëve dhe drejtuesve të 28 personave juridikë kishte filluar më 30 tetor të vitit 2023. Në ndërkohë, hetimi ishte zgjeruar për edhe dy persona, ndërsa për një person i cili gjatë vlerësimit të Aktakuzës ndërroi jetë është sjellë Vendim për ndërprerjen e hetimit.
Sipas përmbajtjes së dispozitivit të Aktakuzës, të akuzuarit, në cilësinë e pronarëve dhe drejtuesve të personave juridikë, në periudhën prej 01.01.2019 deri më 31.12.2021, në emër dhe llogari të personave juridikë penalisht përgjegjës nën pronësinë dhe drejtimin e tyre, nuk llogarisnin dhe paguanin tatimin – detyrë për të cilën ata ishin të detyruar ligjërisht. Në këtë mënyrë, me qëllim të përfitimit të pasurisë së kundërligjshme, të dyshuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme prej 490.808.618,00 denarë ose 7.980.627 euro. Paratë e fituara me vepra penale në vlerë të përgjithshme prej 40.046.815 denarë, i kanë lëshuar në qarkullim, i kanë pranuar dhe transferuar, më pas i kanë tërhequr në para të gatshme.