DOKUMENTET E UDHËTIMIT
Pranimi i dokumenteve të udhëtimit me emrin e vjetër kushtetues të vendit është çështje e çdo vendi veç e veç – kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve MIA, nga Delegacioni i BE-së, të pyetur rreth qëndrimit të BE-së lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore për vazhdimin e afatit të pasaportave me “Republika e Maqedonisë”.
Megjithatë, nga Delegacioni thonë se e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut t`i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Me rëndësi është që RMV-ja të vazhdojë t`i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, duke llogaritur edhe angazhimet për ndërrimin e dokumenteve të udhëtimit, sipas Marrëveshjes së Prespës. Rikujtojmë se njohja e dokumenteve të udhëtimit nga vendet e treta është në kompetenca të secilit vend anëtar veç e veç” – thonë nga delegacioni i BE-së.
Deri tani, njoftim zyrtar, Maqedonia e Veriut ka marrë vetëm nga Zvicra. Sipas njoftimit lejohet lëvizja me pasaporta të vlefshme me emrin e vjetër kushtetues.
Qytetarët, për momentin, probleme nuk kanë edhe gjatë hyrjes në Kroaci. Nga Bosnja e Hercegovina është dërguar shkresa se nuk pranohet pasaporta pa emrin e ri kushtetues. Autoritetet e MPB-së njoftuan se kanë biseduar me Ministrin për Siguri të Bosnjë e Hercegovinës, ku janë dakorduar që qytetarët mund të udhëtojnë atje me letërnjoftime me emrin e vjetër kushtetues. /tvklan.mk/