Prokuroria Speciale ka ftuar për intervistim Sami Kurteshin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kurteshi ka njoftuar se ftesa për intervistim i është bërë pas deklaratave që ai kishte bërë në lidhje me rastin e Astrit Deharit, transmeton Telegrafi.
“Më 16 gusht 2024, me autorizimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, kam pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje me datë 20 gusht 2024, në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media me rastin e pensionimit të Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, të mbajtur para Prokurorisë Speciale”, ka theksuar ai.
Kjo sjellje e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale? Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?”, shkruan ai.
Kurteshi në reagimin e tij ka shtuar se drejtësia për Astrit Deharin do të arrijë, duke shtuar se “Koha vonon, por e drejta nuk shuhet! E drejta domosdo del në shesh”.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka implikuar në rastin e Astrit Deharit, AKI-në, Policinë e Kosovës, Prokurorinë për arrestimet e aktivistëve të tyre lidhur me sulmin që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës më 2016. /Telegrafi/