Regres dhe denigrim të arsimit e konsideron Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, deklaratën e ministres Vesna Janevska, sipas së cilës fëmijët, në mungesë të librave, mund të mësojnë gjuhët e huaja përmes serialeve.
Sipas tyre, përmes deklaratave të tilla Qeveria aktuale tallet me qytetarët. ASH akuzon koalicionin VLEN, se për hir të propagandës parazgjedhore kanë përdorur tema të ndjeshme që lidhen me arsimin.
“Ndërkohë, partitë shqiptare që pa legjitimitet hyjnë në Qeveri, sot heshtin dhe harruan të gjitha fjalët që kishin thënë paraprakisht për arsimin në përgjithësi dhe tekstet shkollore në veçanti. Kujtojmë që në programin e VLEN qëndron edhe premtimi për harmonizimin e kurrikulave me Kosovën dhe Shqipërinë. Veprimet dhe deklaratat e fundit përveç se dëmtojnë procesim arsimor, paraqesin edhe tallje me nxënësit në përgjithësi dhe ata nga bashkësitë jo shumicë në veçanti. Çfarë goditje tjetër duhet të presim nga Qeveria monoetnike dhe jolegjitime që t’i bindë servilët të heqin dorë nga ky mision i dëmshëm, degradues dhe degjenerues?” – thonë nga Alenaca për Shqiptarët.
Zëvendësministri i Arsimit nga koalicioni VLEN, Lulzim Aliu, konsideron se deklarata e ministres është keqkuptuar dhe keqintepretuar, ndërsa informacionet e plasuara rreth të njejtës i konsideron dezinformim për të shkaktuar huti. Ai thotë se nxënësit nga klasa e parë deri në atë të gjashtën do të kenë libra për gjuhën shqipe.
“Janë në proces tekstet për klasën e shtatë, meqë këtë vit duhej të vazhdohej me konceptin e ri, ndërkaq klasa e tetë dhe e nëntë vazhdojnë sipas programit të vjetër dhe librat janë, sipas programeve ekzistuese. Kjo ka të bëjë me tekstet shkollore për lëndën e Gjuhës shqipe. Ndërkaq, të pa vërteta janë deklarimet e më hershme, nga ana e ish ministrit, i cili deklaronte se janë siguruar të gjitha librat për të gjithë lëndët e arsimit fillor dhe se të njëjtët janë shpërndarë nëpër shkolla. Kjo është e pa vërtetë. Nga ana e Ministrisë Së Arsimit dhe Shkencës sot po bëhen përpjekjet maksimale që deri në fillim të vitit shkollor të sigurohen pjesa më e madhe e teksteve shkollore që janë miratuar nga Komisioni Nacional i Librave, por akoma nuk janë të gjithë librat.” – tha Lulzim Aliu, zv ministër i Arsimi.
Pas shumë reagimeve dhe polemikave, Ministrja e Arsimit vendosi të jap një sqarim në Facebook, duke thënë se deklarata nuk ishte e mirëformuluar, gjë që siç tha, ua bëri më të lehtë individëve të caktuar dhe kundërshtarëve politik keqpërdorimin e saj.
“Thelbi i asaj që desha të them është se në Maqedoni nuk ka tekste për gjuhën dhe kulturën e komuniteteve. Tekstet e propozuara që janë dorëzuar vitin e kaluar janë vlerësuar si joadekuate dhe për këtë arsye nuk janë miratuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Gjatë mësimit të gjuhës së një prej komuniteteve që jetojnë në Maqedoni, atëherë fokusi, sipas ekspertit, duhet të jetë në aspektin e komunikimit, dhe në mungesë të literaturës, fëmijët fitojnë aftësi komunikuese përmes shfaqjeve dhe serialeve të animuar dhe filmave të përshtatshëm për moshën e tyre.” – deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Sipas saj, fëmijët këtë vit nuk do t’i kenë këto tekste për mësimin e gjuhës dhe kulturës së komuniteteve, por do të kenë materiale ndihmëse të publikuara në faqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, si dhe opsione janë edhe përmbajtje të tjera në internet.
Janevska tha se nga viti shkollor 2025-2026, do të jenë të gjitha librat që mungojnë. /tvklan.mk/