Dorival Junior është prezantuar sot si trajneri i ri i Brazilit. Ai ka nënshkruar një kontratë deri më 31 dhjetor 2026 dhe për këtë arsye do të udhëheqë Seleçao në kualifikueset për Kupën e Botës që do të luhet në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë. Ndërkohë që, këtë verë do të zhvillohet edhe Copa América.
“Sot jam këtu për të përfaqësuar ekipin më të suksesshëm në planet, atë që frymëzon shumë njerëz në mbarë botën. Dhe ka si detyrimin të fitojë përsëri. Futbolli brazilian është shumë i fortë, ai rishpik veten”, tha Dorival Junior.
Brazili nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Fernando Diniz arriti rezultate katastrofike. Madje arriti të humbasë tri ndeshje radhazi në grupin kualifikues të botërorit. Kombëtarja braziliane ka zbritur në vendin e gjashtë në renditjen botërore.
“Duhet të ndërtojmë një kombëtare të besueshme, e cila të na japë besueshmëri të gjithëve. Dhe, së dyti, po aq e rëndësishme, i drejtohem të gjithë profesionistëve që janë pjesë e futbollit, që merren me futbollin. Ekipi ka nevojë për të gjithë ju. Që tani e tutje është jo më ekipi i Dorival, është ekipi i popullit brazilian”, tha trajneri i kombëtares braziliane.
Për emocionet që u bë trajner i Brazilit në moshën 61-vjeçare, Dorival Junior tha: “Është një kënaqësi. Sinqerisht jam i prekur pas gjithçkaje që kam përjetuar, gjithçka që kam kaluar”.
“Veçanërisht në 6-7 vitet e fundit, duke arritur të kapërcej dy momente me vështirësi të mëdha në shtëpinë time: Gruaja ime kishte kancer shumë agresiv dhe unë u diagnostikova me të menjëherë më pas. Kjo më forcoi edhe më shumë dhe arrita të rimendoj disa pika të karrierës sime. Futbolli ka jetuar në shtëpinë time për praktikisht 54 vjet“, tha trajneri.