BETOHET ABDUSH DEMIRI SI ANËTAR I RI I KSHZ-SË
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve propozon që t’u mundësohet e drejta për të votuar qytetarëve që nuk kanë arritur të pajisen me dokumente me emrin e ri kushtetues të shtetit. Kryetari i këtij komisioni, Aleksandar Dashtevski, deklaroi sot se vendimi tani varet nga Kuvendi, nëse do të mundësojë, që letërnjoftimet dhe pasaportat me emrin e vjetër, por që kanë ende afat, të mund të përdoren edhe në këto zgjedhje.
ALEKSANDAR DASHTEVSKI, KRYETARI I KSZH-SË 02:03
“Ne si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve dhamë një propozim, veç më ndodhet në Kuvend, që të bëhet ndryshim në Kodin Zgjedhor, në të cilën do të ketë dispozitë kalimtare, vetëm për këto zgjedhje, që të vlejnë edhe dokumentet e vjetra që kanë afat për zgjedhjet, që të munden të gjithë qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre për votë” – tha Dashtevski.
Dashtevski këto komente i bëri në Kuvend, pas dhënies së deklaratës solemne të anëtarit të ri të KSHZ-së nga radhët e opozitës, Abdush Demiri sot ka dhënë deklaratë solemne në Kuvend. Demiri, nga ana tjetër, tha se, kompletimit të përbërjes së KSHZ-së, i parapriu një proces shumë i gjatë dhe i vështirë.
“Më në fund, pas këmbëngulësisë dhe presionit edhe të deputetëve të opozitës shqiptare edhe të liderëve të opozitës së partive shqiptare edhe të faktorit ndërkombëtar, kjo çështje u zgjidh dhe tani më opozita shqiptare ka anëtarin e vet në KSHZ” – tha Demiri.
Demiri nga Lëvizja Besa është anëtari i shtatë i KSHZ-së, me çka u kompletua përbërja komisionit, e cila që nga hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, punonte me gjashtë anëtarë. KSHZ është organi më i lartë zgjedhor i cili duhet të ketë 7 anëtarë, prej të cilëve katër zgjidhen me propozim të pushtetit dhe tre me propozim të opozitës.