‘SHBA DO TË PUNOJË ME RMV-NË DHE GREQINË PËR TË RUAJTUMARRËVESHJEN E PRESPËS’
Departamentit Amerikan të Shtetit në një njoftim për media ka kërkuar respektim të marrëveshjes. Në reagimin e DASH thuhet se SHBA do të punojë me RMV-në dhe Greqinë për të ruajtur përfitimet e Marrëveshjes së Prespës
Pas deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe postimeve të tij në rrjetet sociale nga Samiti i NATO-s, ku ai përdori vetëm emrin Maqedoni, kanë reaguar nga Departamentit Amerikan të Shtetit. Në reagimin e tyre thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me të dyja palët për të ruajtur përfitimet nga Marrëveshja e Prespës.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë marrëveshje jetike, rithekson rëndësinë e respektimit të saj dhe do të punojnë me të gjitha palët për të ruajtur përfitimet e saj,” tha zyra e shtypit e Departamentit të Shtetit.
Gjatë qendrimit në Uashington Mickoski në deklaratat dhe postimet e tij publike në rrjetet sociale përdori vetëm emrin Maqedoni. Emrin zyrtar të vendit Mickoski e përdori disa herë në një debat në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.
Nga ana tjetër, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë një konference për mediat greke në Samitin e NATO-s në Uashington, tha se kryeministri Mickoski përdori emrin kushtetues të vendit në takimet zyrtare të të gjithë liderëve të NATO-s.
Mitsotakis tha gjithashtu se i njoftoi kolegët e tij në NATO se Mickoski nuk po zbaton nenin kyç të Marrëveshjes së Prespës, gjegjësisht nuk e përdor emrin kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, I pyetur nga gazetarët lidhur me mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës Mitsotaki tha se në këtë pikë Greqia “nuk do të zbulojë armët që ka në dispozicion për t’iu përgjigjur taktikave të udhëheqjes së vendit fqinj”, por shtoi se “në një mënyrë apo tjetër ata do të kuptojnë se kjo taktikë është krejtësisht kundërproduktive”. /tvklan.mk/