Braziliani vazhdon që të jëtë në qeli, ndërsa janë mbledhur provat e mjaftueshme për procesin
Dani Alves do të gjykohet në Barcelonë për krimin e sulmit seksual ndaj një vajze 23-vjeçare, të ndodhur më 30 Dhjetor 2022 në banjën e një klubi nate në Barcelonë.
Ai rrezikon një dënim deri në 10 vjet heqje lirie.
Gjykatësi që po trajton çështjen e tij ka vendosur edhe një garanci prej 150 mijë eurosh, por për momentin ish-futbollisti vazhdon të qëndrojë në burg, pasi sipas Gjykatës ekziston rreziku i arratisjes, raporton “Mundo Deportivo”.
40-vjeçari, i cili në karrierën e tij ka fituar 42 tituj, duke përfshirë 3 Liga Kampionesh me blaugranat dhe 2 Copa America, e gjithashtu medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Tokios, u burgos më 20 Janar.
Më 3 Gusht, Dani Alves do të paraqitet në gjykatë për të dhënë dëshminë e tij.
Braziliani ka thënë para hetuesve tre versione, e asnjë prej tyre nuk ka qenë bindëse. Gjykata e Barcelonës mendon se ka prova të mjaftueshme për të nisur procesin.
Gjykimi pritet që të nisë në fund të vitit 2023.
Klan News