“Dallimi konfuz midis: seksit, gjinisë dhe identitetit gjinor” – Krerët fetarë kundër projektligjeve për gjendje civile dhe barazi gjinore

Liderët e pesë bashkësive fetare në vend – Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, Bashkësisë Fetare Islame, Kishës Katolike, Kishës Ungjillore-Metodiste dhe Komunitetit Hebre, përmes një deklarate të përbashkët shprehin shqetësimin për të ardhmen e besimtarëve, veçanërisht për gratë dhe fëmijët, nga miratimi i projektligjeve për gjendjen civile dhe për barazinë gjinore. Ata sugjerojnë tërheqjen e Projektligjeve dhe lënien e kohës për studimin e tyre serioz, përcjell KlanM.

“Ne besojmë se njohja ligjore e ‘identitetit gjinor’ në këto ligje, si dhe dallimi konfuz midis: seksit, gjinisë dhe identitetit gjinor, janë të papranueshme. Nëpërmjet miratimit të tyre, në vend të mbrojtjes së tyre, u hapet mundësia e diskriminimit më të cenuarve – grave dhe fëmijëve! Në fund të fundit, shqetësimi ynë më i madh ka të bëjë me qëllimin e këtij ligji për të përfshirë të miturit, pra fëmijët. Promovimi i identiteteve të ndryshme gjinore dhe ‘rrjedhshmëria’ mes tyre mund të shkaktojë dëme të pariparueshme, veçanërisht te adoleshentët, të cilët, të udhëhequr dhe të edukuar në këtë mënyrë, duhet të kalojnë një proces vetëekzaminimi dhe testimi, të papërshtatshëm për moshën e tyre”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë Stefan, Reis-Ul-Ulema Shaqir Fetai, ipeshkvi i Shkupit dhe Dioqeza e Strumicë-Shkupit, Kiro Stojanov, Superintendent Marjan Dimov dhe kryetari i Bashkësisë Hebraike Pepo Levi.

Projektligji për barazinë gjinore, nënvizohet në njoftim, hap mundësinë e rrezikimit të të drejtave prindërore sepse parashikon që nga aspekti i identitetit gjinor, fëmijët të trajtohen në mënyrë të barabartë si të rriturit.

Burimin e kësaj tendence, siç thonë krerët e bashkësive fetare, shqetësuese e gjejnë në ratifikimin e Konventës së Stambollit, e cila përdori qëllimin fisnik për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve si mbulesë për imponimin e fshehtë të ideologjisë gjinore.

Projektligjet, siç thuhet në deklaratë, në thelb bien ndesh me doktrinat e të gjitha bashkësive fetare, përcjell KlanM.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share